Biznes, diasporë dhe zemër njerëzore/ Xhavit Islami hyn në garë me LDK, për ta sjellë përvojën e suksesit në Kuvend

Biznes, diasporë dhe zemër njerëzore/ Xhavit Islami hyn në garë me LDK, për ta sjellë përvojën e suksesit në Kuvend

16:55, 26/12/2025

Xhavit Islami është shembull i suksesit që ndërtohet me punë dhe përkushtim. Prej vitesh jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës, ku ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në biznes. Sot ai ka vendosur ta sjellë këtë përvojë në Kosovë, duke hyrë në garën për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Islami kandidon në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mban numrin 91. Ai vjen me një qasje të qartë dhe reale për të ardhmen e vendit, të mbështetur në përvojë konkrete dhe njohje të drejtpërdrejtë të ekonomisë.

I pyetur se çfarë e shtyu të hyjë në politikë, Islami shprehet qartë se lidhja me Kosovën nuk është këputur kurrë. Edhe pse jeton prej vitesh në Zvicër, ai thotë se e sheh nga afër nevojën që vendi ka për njerëz me përvojë ndërkombëtare dhe vullnet për të dhënë kontribut.

Zhvillimi ekonomik është në qendër të vizionit të tij. Sipas Islamit, problemi kryesor sot është mungesa e politikave të qarta dhe të zbatueshme. Bizneset nuk ndihen të sigurta dhe shteti shpesh nuk i sheh si partner. Ai thekson se pa stabilitet dhe ligje që funksionojnë në praktikë, nuk mund të ketë zhvillim real.

Lexo edhe: Xhavit Islami nga Gjeneva në garë për Kuvendin, biznesi dhe diaspora në shërbim të Kosovës

Një fokus të veçantë ia kushton diasporës. Kur flet për investimet nga mërgata, Islami thotë se ato mund të jenë motor i fuqishëm i ekonomisë. Por vetëm nëse krijohen kushte të qarta, procedura të shpejta dhe mbrojtje ligjore. Si deputet, ai synon krijimin e një platforme të posaçme për investitorët e diasporës, me informim të saktë dhe lehtësime tatimore për investimet që hapin vende pune.

Përvoja e tij si afarist, sipas tij, është një avantazh i madh. Ai e di çfarë kërkon një investitor dhe ku lindin pengesat. Prandaj në Kuvend synon ligje reale, të zbatueshme dhe të dobishme për ekonominë, jo vendime që mbesin vetëm në letër.

Islami ndalet edhe te arsimi, duke e quajtur atë çelës të zhvillimit. Ai beson se arsimi duhet t’i përgatisë të rinjtë për tregun e punës, me më shumë aftësi praktike dhe bashkëpunim me sektorin privat. Vetëm kështu forcohet ekonomia dhe mbahet rinia në vend.

I njohur si humanist si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, Xhavit Islami e lidh drejtpërdrejt këtë vlerë me vizionin e tij politik. Ai beson se zhvillimi ekonomik duhet të jetë gjithmonë në shërbim të njeriut dhe dinjitetit të tij.

Një nga deklaratat më të forta të tij është vendimi për ta dhuruar pagën e deputetit për persona në nevojë. Islami shprehet se paga për të nuk është qëllim, por mjet për të ndihmuar familje dhe individë që jetojnë në kushte të vështira. Këtë e sheh si vazhdim të angazhimit të tij human edhe jashtë politikës.

Në mesazhin për votuesit, Islami fton qytetarët të besojnë te puna dhe përvoja. Ai thekson se nuk vjen me premtime boshe, por me vullnet dhe lidhje konkrete për investime dhe zhvillim. Sipas tij, numri 91 në listën e LDK-së është një zgjedhje për ekonomi të fortë, zhvillim dhe shpresë reale për Kosovën.

Më poshtë mund ta gjeni intervistën e plotë të Xhavit Islamit dhënë Syri.net Kosovës


Syri.net Kosova: Zoti Islami, jetoni dhe veproni prej vitesh në Gjenevë. Çfarë ju shtyu të hyni në garë për deputet?

Xhavit Islami: Kam jetuar gjatë në Zvicër dhe aty kam ndërtuar jetën profesionale. Por lidhja me Kosovën nuk është këputur asnjëherë. E shoh se vendi ka nevojë për njerëz që kanë përvojë jashtë dhe vullnet për të dhënë. Kjo më shtyu të kandidoj.

Syri.net Kosova: Zhvillimi ekonomik është në qendër të programit tuaj. Ku e shihni problemin kryesor sot?

Xhavit Islami: Problemi kryesor është mungesa e politikave të qarta ekonomike. Bizneset nuk kanë siguri dhe nuk ndihen të mbështetura. Duhet stabilitet, ligje të zbatueshme dhe një shtet që e sheh biznesin si partner.

Syri.net Kosova: Si deputet, cilët do të jenë hapat e parë që do t’i ndërmerrni për të sjellë investime nga diaspora?

Xhavit Islami: Do të angazhohem për krijimin e një platforme të posaçme për investitorët e diasporës. Informim i qartë, procedura të shpejta dhe mbrojtje ligjore. Po ashtu do të punoj që të ketë lehtësime tatimore për investimet që hapin vende pune.

Syri.net Kosova: A mendoni se përvoja juaj si afarist mund të ndikojë në hartimin e politikave ekonomike?

Xhavit Islami: Patjetër. Unë e di çfarë i nevojitet një investitori. E di ku hasen pengesat. Në Kuvend do të angazhohem për ligje që janë të zbatueshme dhe reale, jo vetëm të bukura në letër.

Syri.net Kosova: Çfarë roli ka arsimi në zhvillimin ekonomik të vendit?

Xhavit Islami: Arsimi është çelësi. Duhet arsim që përgatit të rinjtë për tregun e punës. Më shumë fokus në aftësi praktike dhe bashkëpunim me sektorin privat. Kjo e forcon ekonominë dhe e mban rininë në vend.

Syri.net Kosova: Ju njiheni si humanist. Si lidhet kjo me vizionin tuaj si deputet?

Xhavit Islami: Unë besoj se zhvillimi ekonomik duhet të jetë në shërbim të njeriut. Kam ndihmuar dhe do të vazhdoj të ndihmoj. Politikat ekonomike duhet të krijojnë dinjitet dhe mundësi për secilin qytetar.

Syri.net Kosova: A jeni të vendosur që pagën tuaj si deputet t’ua dhuroni personave në nevojë dhe si e keni menduar ta realizoni këtë ndihmë në praktikë.

Xhavit Islami: Po, jam plotësisht i vendosur. Paga e deputetit për mua nuk është qëllim, por mjet për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Kam ndihmuar edhe më herët familje dhe individë në vështirësi dhe këtë do ta vazhdoj edhe si deputet. Kjo pagesë do të shkojë drejtpërdrejt për persona në nevojë, për familje me kushte të rënda jetese dhe për raste sociale. Besoj se politika duhet të ketë më shumë ndjeshmëri njerëzore dhe ky është një premtim që e mbaj me përgjegjësi.

Syri.net Kosova: Çfarë mesazhi keni për votuesit?

Xhavit Islami: Të besojnë te puna dhe përvoja. Unë nuk vij me premtime boshe. Vij me vullnet dhe me lidhje konkrete për investime. Numri 91 është një zgjedhje për zhvillim, ekonomi dhe shpresë reale për Kosovën.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco