Xhavit Islami nga Gjeneva në garë për Kuvendin, biznesi dhe diaspora në shërbim të Kosovës

Xhavit Islami nga Gjeneva në garë për Kuvendin, biznesi dhe diaspora në shërbim të Kosovës

11:00, 24/12/2025

Xhavit Islami, afarist i suksesshëm që prej vitesh jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës, ka vendosur t’i hyjë garës për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit ai garon në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mban numrin 91.

Me synimin për t’u bërë deputet i Republikës, z. Islami vjen në këtë intervistë për Syri.net për të treguar se ka një qasje të qartë dhe konkrete për të ardhmen e Kosovës.

Me përvojë të drejtpërdrejtë në biznes dhe me lidhje të forta me vendin ku jeton dhe me diasporën shqiptare atje, Islami thekson nevojën për ndryshime të domosdoshme në Kosovë. Ai veçon politikat ekonomike që duhet t’i shërbejnë qytetarit dhe zhvillimit real të vendit.

Në bisedën për Syri.net Kosova, ai flet për përvojën e tij në biznes, për ofertën që ka për zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës.

I njohur si humanist në Kosovë dhe në diasporë, Islami thotë se nëse arrin të bëhet deputet, pagën e tij do t’ua dedikojë personave në nevojë.



Syri.net Kosova: Zoti Islami, jetoni dhe veproni prej vitesh në Gjenevë. Çfarë ju shtyu të hyni në garë për deputet?

Xhavit Islami: Kam jetuar gjatë në Zvicër dhe aty kam ndërtuar jetën profesionale. Por lidhja me Kosovën nuk është këputur asnjëherë. E shoh se vendi ka nevojë për njerëz që kanë përvojë jashtë dhe vullnet për të dhënë. Kjo më shtyu të kandidoj.

Syri.net Kosova: Zhvillimi ekonomik është në qendër të programit tuaj. Ku e shihni problemin kryesor sot?

Xhavit Islami: Problemi kryesor është mungesa e politikave të qarta ekonomike. Bizneset nuk kanë siguri dhe nuk ndihen të mbështetura. Duhet stabilitet, ligje të zbatueshme dhe një shtet që e sheh biznesin si partner.

Syri.net Kosova: Si deputet, cilët do të jenë hapat e parë që do t’i ndërmerrni për të sjellë investime nga diaspora?

Xhavit Islami: Do të angazhohem për krijimin e një platforme të posaçme për investitorët e diasporës. Informim i qartë, procedura të shpejta dhe mbrojtje ligjore. Po ashtu do të punoj që të ketë lehtësime tatimore për investimet që hapin vende pune.

Syri.net Kosova: A mendoni se përvoja juaj si afarist mund të ndikojë në hartimin e politikave ekonomike?

Xhavit Islami: Patjetër. Unë e di çfarë i nevojitet një investitori. E di ku hasen pengesat. Në Kuvend do të angazhohem për ligje që janë të zbatueshme dhe reale, jo vetëm të bukura në letër.

Syri.net Kosova: Çfarë roli ka arsimi në zhvillimin ekonomik të vendit?

Xhavit Islami: Arsimi është çelësi. Duhet arsim që përgatit të rinjtë për tregun e punës. Më shumë fokus në aftësi praktike dhe bashkëpunim me sektorin privat. Kjo e forcon ekonominë dhe e mban rininë në vend.

Syri.net Kosova: Ju njiheni si humanist. Si lidhet kjo me vizionin tuaj si deputet?

Xhavit Islami: Unë besoj se zhvillimi ekonomik duhet të jetë në shërbim të njeriut. Kam ndihmuar dhe do të vazhdoj të ndihmoj. Politikat ekonomike duhet të krijojnë dinjitet dhe mundësi për secilin qytetar.

Syri.net Kosova: A jeni të vendosur që pagën tuaj si deputet t’ua dhuroni personave në nevojë dhe si e keni menduar ta realizoni këtë ndihmë në praktikë.

Xhavit Islami: 

Po, jam plotësisht i vendosur. Paga e deputetit për mua nuk është qëllim, por mjet për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Kam ndihmuar edhe më herët familje dhe individë në vështirësi dhe këtë do ta vazhdoj edhe si deputet. Kjo pagesë do të shkojë drejtpërdrejt për persona në nevojë, për familje me kushte të rënda jetese dhe për raste sociale. Besoj se politika duhet të ketë më shumë ndjeshmëri njerëzore dhe ky është një premtim që e mbaj me përgjegjësi.

Syri.net Kosova: Çfarë mesazhi keni për votuesit?

Xhavit Islami: Të besojnë te puna dhe përvoja. Unë nuk vij me premtime boshe. Vij me vullnet dhe me lidhje konkrete për investime. Numri 91 është një zgjedhje për zhvillim, ekonomi dhe shpresë reale për Kosovën.


Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco