Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2026, duke ftuar fermerët dhe subjektet e interesuara të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara.
Në njoftim theksohet se: “Hapet Thirrja për aplikim për Programin e Pagesave Direkte 2026”, ndërsa qëllimi i skemës, sipas Ministrisë, është “mbështetja e prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural në Republikën e Kosovës”.
Ministria njoftoi se aplikimi për këtë program fillon më 22 qershor 2026 dhe përfundon më 21 korrik 2026 në ora 16:00, ndërsa dokumentacioni dorëzohet në drejtoritë komunale për bujqësi.
MBPZR thotë se programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian dhe përfshin katër komponentë kryesorë:
Pagesa bazë për sipërfaqe të tokës bujqësore
Pagesa rishpërndarëse për fermerët e vegjël dhe të rinj
Pagesa të lidhura me prodhimin në sektorë prioritarë të blegtorisë dhe kulturave bujqësore
Eko-skemat për bujqësi organike dhe praktika të qëndrueshme
“Pas aplikimit dhe para realizimit të kontrollit në terren, çdo ndryshim lidhur me sipërfaqet, numrin e kafshëve, litrat apo kilogramët e deklaruar duhet të raportohet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) përmes adresës elektronike pd.azhb@rks-gov.net ose me shkresë të protokolluar në arkivin e AZHB-së. Afati i fundit për njoftimin e ndryshimeve në sipërfaqe është 30 korrik 2026”, thuhet në njoftim.
Në dokument gjithashtu theksohet se: “Dokumentacioni i dorëzuar pas afatit të përcaktuar nuk do të pranohet për shqyrtim”.
Kriteret për personat juridikë
Për bizneset dhe subjektet juridike kërkohet dorëzimi i dokumenteve bazë si certifikata e regjistrimit të biznesit, dëshmia nga ATK, konfirmimi i xhirollogarisë bankare dhe kopja e letërnjoftimit të pronarit.
Po ashtu, përfituesit me mbështetje mbi 30,000 euro obligohen të aplikojnë si biznes dhe të regjistrohen në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës përmes e-Kosova.
Thirrje për fermerët
Në fund të njoftimit, MBPZhR dhe AZhB u bëjnë thirrje fermerëve që të aplikojnë brenda afatit dhe të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë përkatëse të mbështetjes.
Informacioni i plotë për programin gjendet në:
MBPZhR – Subvencione
AZhB – Thirrje për aplikim
Drejtoritë Komunale për Bujqësi
© SYRI.net