Altin Dumani nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion në Shqipëri ka ardhur në Kosovë për angazhim profesional. Vizita e tij vjen në fund të mandatit në krye të SPAK-ut, pasi drejtimin e këtij institucioni tashmë e ka marrë Klodjan Braho.
Angazhimi i Dumanit është konfirmuar nga Ambasada Britanike. Ajo ka bërë të ditur se një ekip i ambasadës është takuar me të për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas ambasadës, qëllimi i vizitës është shkëmbimi i njohurive, përvojës dhe ekspertizës profesionale në fushën e sundimit të ligjit.
Në deklaratë theksohet se ky bashkëpunim mbështetet përmes projekteve britanike dhe synon forcimin e institucioneve të zbatimit të ligjit përmes bashkëpunimit rajonal dhe praktik.
Altin Dumani ka udhëhequr SPAK-un për tre vjet. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar disa hetime dhe operacione ndaj krimit dhe korrupsionit, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë në Shqipëri.
© SYRI.net