BE-ja heq të gjitha masat ndaj Kosovës, hapet rruga për miliona euro ndihmë në 2026
Bashkimi Evropian ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke i hapur rrugë vendit për të përfituar miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, kanë konfirmuar zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.
Vendimi vjen pas kalimit paqësor të pushtetit lokal në komunat veriore të banuara me shumicë serbe – zhvillim që u vlerësua nga Brukseli si hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të situatës. Pikërisht tensionet në veri kishin shtyrë BE-në të vendoste masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi e para për vendimin gjatë samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel. Ajo tha se heqja e masave do të bëhet në dy faza.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës. Një pjesë e madhe po hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të janarit”, shkroi Osmani në Facebook, duke shtuar se njësoj do të ndodhë edhe me zhbllokimin e fondeve.
Vendimin e konfirmoi më pas edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se heqja e masave lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin paqësor të procesit të tranzicionit të pushtetit në veri pas zgjedhjeve lokale.
“Falë këtij progresi, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo në platformën X.
Von der Leyen bëri të ditur se BE-ja planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën, nga të cilat rreth 205 milionë euro synohet të disbursohen qysh në fillim të vitit 2026.
BE-ja kishte hequr tashmë gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, megjithatë deri së fundmi kishte paqartësi për heqjen e plotë të tyre, për shkak të rezervave të disa shteteve anëtare, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Hungarinë dhe Sllovakinë.
Zyrtarët kosovarë kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave, duke argumentuar se situata e sigurisë në veri është përmirësuar ndjeshëm, përmes zvogëlimit të pranisë policore në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe kalimit paqësor të pushtetit tek përfaqësuesit lokalë serbë.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat ndëshkuese i kanë shkaktuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro dëme, përmes projekteve të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Prej tyre, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht për shkak të skadimit të afateve.
Sektorët më të prekur kanë qenë mjedisi me rreth 350 milionë euro, energjia me 114 milionë euro, digjitalizimi me rreth 57 milionë euro dhe kultura me 15 milionë euro. Rreth 218 milionë euro kanë qenë të dedikuara për projekte në kuadër të IPA II dhe IPA III, ndërsa afërsisht 395 milionë euro për projekte të Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
© SYRI.net