Gjykata Supreme anulon vendimin për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Supreme anulon vendimin për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit

12:38, 17/12/2025

Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendi nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në njoftim, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm.

Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.

Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro. Pas shkarkimit, Kelmendi është ankuar në Supreme, ankesë e cila sipas kësaj gjykate është e bazuar.

“Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se U.D i kryeprokurorit të shtetit, përmes deklarimeve në Këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm. Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.

Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet në njoftim. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco