Abdixhiku hap fushatën: 28 dhjetori vendos të ardhmen e Kosovës

Abdixhiku hap fushatën: 28 dhjetori vendos të ardhmen e Kosovës

20:43, 16/12/2025

Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë dhe programit politik qeverisës, deklaroi se Kosova sot është në krizë morale, politike dhe institucionale.

Sipas tij, besimi i njeriut te shteti është thyer në momentin kur shteti nuk i zgjedhë institucionet vet për një vjet.

“Besimi te drejtësia është lënduar; në momentin që politikanë janë më të fuqishëm se gjykatësit e prokurorët, kur ligjet nuk vlejnë për të gjithë barabarësish; kur hajnia mbrohet publikisht; e kur Kushtetuta, dokumenti më i lartë i shtetit, shkelet qëllimisht”, deklaroi Abdixhiku.

“Kosova nuk ka luftuar për dështim shtetar. Prandaj sot, më shumë se kurdoherë, kërkohet zgjim, kthjelltësi, drejtim i ri, shpresë”, deklaroi Lumir Abdixhiku në gjatë eventit të nisjes së fushatës.

Ai tha se shteti po gërryhet nga brenda secilën ditë.

“Kjo tokë ka kaluar luftë, ka kaluar sakrifica, ka kaluar betejën më të madhe historike – atë për liri e shtetësi – dhe nuk është ngritur pas gjithë dhimbjes për të përjetuar një dështim shtetar brenda kufijve të vet, nga njerëzit e vet”, përfundoi ai.

Tutje ai shtoi se “Besimi te e ardhmja është zbehur; në momentin kur Kosova jonë vazhdon të ecë nën sanksione; pa aleatë, e vetme e mbyllur në depresionin më të madh politik që nga shpallja e pavarësisë”.

“Ne do të punojmë për t’i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, do të rikthejmë besimin e partnerëve tanë, do të zbatojmë obligimet tona ndërkombëtare, duke mbrojtur gjithmonë interesin e vendit”, ka thënë kandidati për Kryeministër nga LDK, njëherësh i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se do të punojnë qe t’i bindin pesë vendet që ende nuk na kanë njohur, të na njohin.

“Do të punojmë që Kosova të jetë anëtare në NATO, sepse vetëm aty Kosova është e sigurt, është e mbrojtur dhe është e barabartë. Ne nuk e shohim Evropën si slogan. E shohim si shtëpinë tonë politike natyrale, si vendin ku i takojmë me vlera, me histori, me orientim. Ne nuk e shohim Amerikën si një flamur; e shohim si aleaten tonë kryesore të sigurisë, lirisë dhe shtetësisë. Dhe në këtë rrugë euroatlantike, LDK ka qenë, është dhe do të mbetet busulla e këtij vendi”, deklaroi Abdixhiku.

“Kosova jonë vazhdon të ecë nën sanksione; pa aleatë, e vetme e mbyllur në depresionin më të madh politik që nga shpallja e pavarësisë”, ka thënë Lumir Abdixhiku, kandidati për Kryeministër nga LDK, gjatë prezantimit të programit politik.

Sipas tij, kjo nuk është Kosova për të cilën është ëndërruar gjithherë.

“Në këtë Kosovë, qytetari ynë, njeriu i Kosovës, ka mbetur vet. Qytetari ynë sot nuk kërkon as privilegje, as favore – kërkon vetëm një shtet normal; një shtet që funksionon, një qeveri që punon, një politikan që e mban fjalën; një ekip që ua bën të ardhmen”, deklaroi Abdixhiku.

“Kosova nuk meriton këtë realitet. Nuk meriton të udhëhiqet nga improvizimi, nga aventura politike, nga inatet partiake të atyre që shpallin tradhtarë e patriotë teksa qeshen e përqeshen me fatin e qytetarëve të vendit”, shtoi ai.

Në fjalimin e tij, ai deklaroi se data 28 dhjetor vendos drejtimin e Kosovës për vitet e ardhshme.

“Sepse ne vijmë me përvojë, me dije, me maturi, me institucione, me vizion të qartë e të guximshëm. Vijmë me një traditë që nuk e ka përdhosur kurrë shtetin, me një histori që nuk e ka ndarë kurrë popullin, me një rrugë politike që gjithmonë e ka mbrojtur interesin kombëtar mbi interesin partiak. Dhe pikërisht kjo vlerë është ajo që Kosova kërkon sot: normalitet, qetësi, përgjegjësi – mbi të gjitha zhvillim”, tha Abdixhiku.

Ai premtoi krijimin e Ministrisë së Familjes, siç tha, për ta vendosur njeriun në qendër të shtetit.

Gjatë këtij eventi të LDK-së Abdixhiku tregoi në detaje vizionin për këtë Ministri, të cilin e quajti ai cikël të shpresës, jetës.

“Ministria e Familjes është premtimi ynë i madh për ta vendosur njeriun në qendër të shtetit. Për t’i mbështetur familjet e reja që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Për t’i ndihmuar nënat dhe prindërit. Për t’i mbrojtur fëmijët. Për të krijuar siguri ekonomike dhe sociale që e mban njeriun në atdhe, që i jep shpresë, që i jep dinjitet”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se askush, as për së afërmi, nuk ka ekip më të mirë, program më të qartë, e vullnet më të hekurt për të shërbyer siç ka LDK.

“Sepse ndjejmë dhe kemi përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj çdo prindi që lufton çdo ditë për t’ua bërë të nesërmen fëmijëve të vet; ndaj çdo të riu që kërkon mundësi; ndaj çdo të moshuari që meriton dinjitet; ndaj çdo familjeje që pret nga shteti, jo favore, por kujdes dhe mbështetje”, deklaroi Abdixhiku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco