Ish deputetja dhe kandidatja për deputete nga Partia GUXO, Jeta Statovci, ka reaguar ndaj deklaratave të LDK-së, të bëra nga Avdullah Hoti, lidhur me vizitën e Presidentes Vjosa Osmani në Mitrovicë.
Statovci ka thënë se sulmet ndaj Presidentes janë të pabazuara dhe tregojnë se LDK ende nuk ka kaluar pasojat e vendimeve të veta politike të para pesë viteve, kur përjashtoi, siç u shpreh ajo, figurën më të fuqishme politike nga radhët e saj.
Ajo theksoi se vizita e Presidentes te një kryetar komune është pjesë normale e rolit të saj institucional dhe se Mitrovica ka rëndësi të veçantë për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, shkruan Syri Kosova.
Sipas Statovcit, Presidentja Osmani e ka vizituar Mitrovicën edhe më herët, edhe në kohë kur kryetar komune nuk ka qenë Faton Peci, pa pasur reagime nga LDK. Ajo vlerëson se reagimi i tanishëm lidhet me motive politike.
Në reagimin e saj, Statovci theksoi se nëse LDK ka problem me Partinë GUXO, duhet t’i drejtohet asaj dhe jo Presidentes së Republikës, e cila, sipas saj, ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe pa asnjë ndikim partiak.
Ajo shtoi se debatet për angazhimin politik të Presidentes pas përfundimit të mandatit nuk duhet të përdoren për të sulmuar institucionin e Presidencës, të cilin e cilësoi si një nga institucionet më serioze të shtetit.
© SYRI.net