Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dërguar për gjykim Laert Haxhiun, Kristi Bixhekun dhe të penduarin e drejtësisë Artan Tafani, që akuzohen për 14 ngjarje kriminale.
Sipas organit hetues, në rolin e drejtuesit dhe organizatorit të grupit të strukturuar kriminal, Laert Haxhiu e nisi aktivitetin fillimisht si hakmarrje për vrasjen e djalit të xhaxhait, Klodian Haxhiut, dhe pas arrestimit të dy miqve të tij, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
I penduari i drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani, falë dëshmive të të cilit SPAK duket se ka arritur të provojë disa prej krimeve të kryera nga Laert Haxhiu dhe grupi i tij, akuzohet se në bashkëveprim me drejtuesin e grupit dhe shtetasin Fatjon Veliu “siguroi kushte dhe mjete” për vrasjen e Rexhep Ginës në Lushnjë, në korrik të vitit 2022.
Kristi Bixheku akuzohet për një sërë veprash penale, nga shkatërrim prone me eksploziv, tek sigurimi i mjeteve për të kryer vrasje. Disa nga ngjarjet e kryera nga ky grup janë ato ndaj Çajup Selimit, Fridman Xhaferajt, Alban Semakut, Albi Bashaliut, Lulzim Qorrit dhe Dikenc Halilit.
Aktiviteti kriminal është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, kur drejtuesi dhe organizatori i tij, Laert Haxhiu, u arrestua në Greqi, ndërsa u ekstradua për në Shqipëri në korrik 2024. Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës më 2017, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës, Aldo Barja.
Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, përveç të akuzuarve, janë edhe Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, ndaj të cilëve, në një proces të ndarë, është paraqitur më parë kërkesa për gjykim.
© SYRI.net