Kryesuesja e listës “Guxo” për Asamblenë e Prishtinës, Jeta Statovci, së bashku me Fizza Ramadanin, kanë vizituar organizatën “Dëshira”, e cila ofron shërbime sociale, rehabilitim, jetë të pavarur dhe integrim për personat me dëmtime intelektuale.
Gjatë takimit, u diskutua për domosdoshmërinë e shërbimeve më gjithëpërfshirëse shëndetësore e sociale, si qendrat zhvillimore me aktivitete të përditshme, vizitat në shtëpi dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e këtyre personave në tregun e punës.
Statovci falënderoi profesionistët shëndetësorë, mes tyre Dr. Nusret Shillovën, stafin mbështetës dhe anëtarët e organizatës, duke vlerësuar punën e tyre të përditshme për një shoqëri më humane dhe më të barabartë.
“Kujdesi dhe integrimi nuk janë vetëm nevojë – janë e drejtë themelore dhe përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Statovci.

© SYRI.net