Hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus, Gurakuç Kuçi, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook lidhur me paradën ushtarake të Serbisë, duke e lidhur atë me projekte afatgjata nacionaliste.
Ai kujtoi se në gusht 2020, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në koordinim me autoritetet e Republikës Srpska, promovoi krijimin e “Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar serb”. Në të njëjtën periudhë, ish-ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin – sot në listën e zezë të SHBA-së – shpalli projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Sipas Kuçit, kjo ditë lidhet me ofensivën e 15 shtatorit 1918 në Frontin e Selanikut, pas së cilës nisi edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë dhe shpërngulja e shqiptarëve, siç dokumentohet nga Dr. Milovan Obradoviq në librin “Reforma Agrare dhe Kolonizimi i Kosovës 1918-1941”.
“Parada e sotme, e ndërtuar sipas modelit të Kinës dhe Rusisë, është instrument i propagandës shtetërore dhe frikësimit, përmes nacionalizmit. Fakti që ajo u mbajt më 20 shtator, vetëm pse Vuçiq ishte jashtë vendit më 15 shtator, tregon se ky është projekt i kontrolluar politikisht dhe i instrumentalizuar për pushtetin e tij personal”, shkruan Kuçi.
Ai paralajmëroi se ky pushtet është edhe baza e shtrirjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa çdo politikë që justifikohet me “stabiliokraci” dhe “paqëtim” vetëm i jep kohë realizimit të “Botës Serbe”.
© SYRI.net