Afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shteron. Bazuar në rrjedhën e seancave nga 15 prilli, që janë mbajtur çdo 48 orë, i bie që ka mbetur vetëm edhe një seancë para 26 korrikut, ajo e së premtes, ndonëse mund të thirren edhe seanca tjera. Seanca e sotme u ndëpre ende pa u kaluar tek votimi. Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar dje pezullim të afatit 30 ditor për konstituim, të caktuar në Aktgjykim të Kushtetueses dhe sqarim mbi pasojat nëse Kuvendi s’konstituohet brenda afatit që përfundon të shtunën. Pikërisht në fundjavë do të dihet edhe nëse kreu i VV’së, Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të arrijnë marrëveshje
Për të 51’ën herë, deputetët janë mbledhur në përpjekje për konstituimin e Kuvendit. Edhe sot, pa ndonjë rezultat.
Seanca u ndërpre ende pa kaluar tek votimi për Komisionin për zgjedhjen me votë të fshehtë të Kryetarit të Kuvendit. Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën, pas një përplasje që pati me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliun.
Musliu doli në foltore tek pjesa kur PDK’së iu kërkua të propozonte anëtar Komisioni, por që Dehari sapo ajo nisi të fliste ia ndali fjalën, duke thënë se në seancën konstituive nuk lejohet debati.
Ajo pastaj u ofrua tek ulësja e Deharit dhe ia kapi mikrofonin. Dehari e ndërpreu seancën meqë tha se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.
Seancën e radhës e caktoi për të premten, në orën 11:00, që i bie një ditë para përfundimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituim, e që është 26 korriku, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Rregullores, seanca mund të thirret edhe të shtunën, meqë seanca konstituive duhet të vazhdohet pa u bërë 48 orë.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes një kërkesë që ka dorëzuar dje në Kushtetuese, ka kërkuar pezullim të këtij afati.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar dokumentin prej 27 faqesh, ku Osmani ka kërkuar miratimin e kërkesës për masë të përkohshme; vlerësimin preventive të konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit pas afatit kushtetues; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të mungesës së konstitutimit të Kuvendit brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuesja; zgjidhjen e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar; të zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit dhe në fund t`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Kërkesa e Osmanit është mirëpritur nga Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai tha se kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme është e drejtë, teksa shtoi se s’dëshiron të paragjykojë se mund t’i ketë bërë favor dikujt.
“Aktgjykimi i fundit nuk e ka saktësuar se cilat janë pasojat dhe besoj që kjo është arsyeja që Presidentja dje ka nisur një lëndë të re. Ne kemi dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, edhe LDK-ja, dhe deri tani s’kemi marrë një aktgjykim. Kemi pritur shumë që kjo të ndodh para datës 26, që do ta qartësonte pjesën e votimit të fshehtë”, tha Krasniqi.
“Nëse ne nuk arrijmë brenda 30 ditëve, pikëpyetje është nëse kemi drejtë në ditën e 31-të, tha ai.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Republika është në dorë të Presidentes dhe se Kushtetuesja është rruga e vetmë për ta ushtruar rolin e saj.
“Nga sot, Republika në dorë të Presidentes! Gjykata Kushtetuese është rruga e vetmë për ta ushtruar rolin e saj. Vjosa nuk i ka duart e lidhura ma. Të tjerët kanë me përcjelle! E theu rrethin 5-vjeçar!”, ka shkruar Haziri.
Veprimi i të parës së vendit është mirëpritur edhe nga kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj.
Sipas Haradinajt, kërkesa e Osmanit e ndryshon gjendjen.
“Ajo që ndodhi me angazhimin e Presidentes tani, e ndryshon gjendjen. Ekziston mundësia e ngrirjes së afatit. Na mbesin pak ditë në mënyrë që të gjeturat e reja të afatit. Sot nuk shoh ndryshim. Jemi të detyrum të vijmë se e kemi përgjegjëis, por gjendja nuk sic e shihni nuk është e mirë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai e ka vlerësuar angazhimin e Presidentes si të nevojshëm, teksa tha se kërkesa për masë të përkohshme ua shpëton disa ditë të afatit 30 ditor që ka caktuar Kushtetuesja për konstituim.
“Na i fiton disa ditë të afatit 30 ditor. Disa ditë mund të ruhen në të ardhmen kurdo që krijohet mundësia. Kjo është ajo e mira e kësaj. Shpresoj që Gjykata nuk do të vonon me veprimet e veta, sidomos për masën por edhe vendimin. Mendoj se Gjykata s’mundet tani me i ik tash çka pas 30 ditëshit, çka nëse partia që ka të drejtën me nominu nuk i arrin votat. Jam i bindur që do të gjejnë një zgjidhje. Ne s’kemi qit ndonjë kusht, sidomos për opozitën. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim opozitën, por edhe për pozitën kemi dhënë opsion”, ka thënë Haradinaj.
Përveç kërkesës së Osmanit, Kushtetuesja po trajton edhe dy kërkesa tjera rreth ngërçit, që janë dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Tymi i bardhë ose i zi” në fundjavë
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Secilën herë që emri i saj është hedhur në votim, ajo s’ka arritur të marrë më shumë se 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Për t’i siguruar numrat Kreu i VV’së, njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po negocion me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn, i cili po e kërkon pozitën e Kryeparlamentarit për vete.
Kurti është takuar së fundi herë më të gjatë fundjavës. Të hënën, Kurti duke folur për këtë takim, tha se i ka bërë Limajt ofertë konkrete.
“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë”, tha Kurti gjatë një konference për media në Qeverinë e Kosovës.
Kurti tha se nuk mund të ofrojë hollësi pasi kjo ofertë ende nuk është konkretizuar në marrëveshje, duke theksuar se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”, në mënyrë që të krijohen institucionet e reja.
Ai tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.
“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, ka thënë Kurti.
Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur më shumë rreth kësaj oferte, teksa ka thënë se pozita e Kryeparlamentarit është e padiskutueshme dhe se me Nismën po diskutohet për pozione tjera.
Rreth takimit është deklaruar sot edhe Limaj, pas përfundimit të seancës. Ai se Nisma nuk dëshiron zgjidhje gjysmake, që mund të çojë shpejt në zgjedhje të reja.
Limaj tha se me Kurtin nuk kanë diskutuar për poste, por për çështje programore.
“Më shumë kemi biseduar temat programore, politike, diplomatike e çështje të sigurisë. E rëndësishme që në tavolinë ka opsione”.
“Qëndrimi i Nismës, është që ne duam një shumicë qeverisës që e konstituon edhe Kuvendin dhe e formon edhe Qeverinë. Nisma nuk do zgjidhje gjysmake që mund të çojë në zgjedhje të reja. Nisma nuk do të kontribuojnë në zgjidhje të tilla gjysmake që nuk ndihmojnë në krijimin e institucioneve. Kemi pasur takimet e fundit me kryeministrin, në tavolinë kemi opsionet. Nuk ka beteja në Kuvend, besoj që do të kemi kohë të mjaftueshme që me një vendim të Gjykatës situata do të qartësohet”, tha Limaj para mediave”, ka thënë Limaj.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
© SYRI.net