Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj Xh.P dhe M.G, lidhur me vdekjen e dy punëtorëve të ndërtimtarisë dje në Gjakovë.
Ata po dyshohen se në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve.
“Sipas kërkesës, më 21 korrik 2025, në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë
humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi ranë nga kati i tretë i objektit në ndërtim. Për këtë ngjarje, të dyshuar janë Xh. P., si person përgjegjës i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si person përgjegjës i “M. G.” Sh.P.K, të cilët në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve”.
Dy punëtorët kanë vdekur pasi kanë rënë nga kati i tretë i objektit në ndërtim, ku po punonin.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 par.7 lidhur me par.3 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tyre, por gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës penale masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e dy personave të pandehur, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
“Të pandehurit do të mbahet në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 21 korrik 2025 dhe do të zgjasë deri më 20 gusht 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim
© SYRI.net