Gjermanisë Ngërçi politik: Ambasada gjermane konsideron se

Gjermanisë Ngërçi politik: Ambasada gjermane konsideron se "Kosova po e humb trenin"

14:50, 16/07/2025

Po bëhen gati gjashtë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe vendi ende nuk i ka krijuar institucionet e reja. 

Derisa po vazhdon ngërçi politik, Ambasada gjermane vlerëson se Kosova në njëfarë forme po e “humb trenin”.

Kjo ambasadë përkujton se duke mos arritur të konstituohet Kuvendi, nuk po zbatohet as vullneti i popullit të Kosovës i shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare.  

Një gjë e tillë, sipas kësaj ambasade, është kryesisht padrejtësi ndaj qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, për faktin se vendimet e rëndësishme nuk po merren dhe zbatimi i tyre po vonohet pa nevojë.

“Në të njëjtën kohë, Kosova në një farë mënyre po e humb trenin. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit po ecin përpara me Planin e Rritjes së BE-së dhe po ndërmarrin hapat e ardhshëm për shpërndarjen e fondeve, Kosova është në rrezik të menjëhershëm që të mbetet pas”- tha ambasada gjermane në një përgjigjje për KALLXO.com.

Kosova ende nuk ka përfituar grantin për shkak të ngërçit politik. Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga BE-ja, që gjithsej deri në vitin 2027 janë 882 milionë, së pari duhet ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës. 

Një shqetësim tjetër që ngriti ky institucion diplomatik është që Kosova ka kohë që ka pritur për një Komisioner të ri të Zgjerimit, një Përfaqësues të Lartë dhe një Përfaqësues të Posaçëm për Dialogun – të gjithë nga vendet që e njohin Kosovën, dhe tash vazhdon të qëndrojë e paralizuar politikisht.

“Tani ‘skuadra e ëndrrave’ nga ana e BE-së është në detyrë, por Kosova vazhdon të jetë e paralizuar politikisht. Në fund, Kosova po humb kohë të çmuar çdo ditë dhe po i shkakton vetes dëm politik dhe ekonomik, gjë që në mënyrë të pashmangshme e zvogëlon rëndësinë e saj”- potencon ambasada gjermane.

Sipas këtij misioni diplomatik, Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e ngërçit edhe për gjashtë muaj të tjerë, pasiqë është humbur tashmë shumë kohë dhe energji. 

“Zgjidhja më e mirë do të ishte që deputetët e zgjedhur dhe udhëheqësit e partive më në fund të bashkohen në një frymë kompromisi dhe të gjejnë një rrugë përpara duke vënë vendin dhe qytetarët në radhë të parë”- vlerëson ambasada gjermane.

Ndërkohë, afati prej 30 ditësh i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit dhe ende nuk ka ndonjë lëvizje serioze për ta kryer këtë proces nga ana e deputetëve të legjislaturës së nëntë. Derisa kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë për ta përmbushur këtë detyrim kushtetues, partitë parlamentare vazhdojnë me akuza të ndërsjella për bllokadën institucionale.

Në Aktgjykimin e 26 qershorit Gjykata Kushtetuese ka theksuar qartazi nevojën që deputetët të veprojnë në frymën e “bashkëpunimit dhe mirëbesimit” – duke zhvilluar “konsultime konstruktive” për të arritur kompromisin e nevojshëm. Mirëpo, mospajtimet mes partisë me numrin më të madh të deputetëve dhe atyre të ish-opozitës rreth votimit të fshehtë të Kryetarit të Kuvendit vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar procesin edhe rreth tri javë pas shpalljes së këtij Aktgjykimi.

Kushtetuesja kërkoi bashkëpunim në mirëbesim e konsultim konstruktiv, por që nga 26.06.2025 kjo nuk është vërejtur në deklaratat publike të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Qasja e njëjtë ka vazhduar edhe më 15.07.2025, kur Kuvendi dështoi për të 47-tën herë që të konstituohet.

Për të gjetur një zgjidhje pas Aktgjykimit të Kushtetueses presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte takuar Kryetarët e partive politike: LVV, PDK, LDK, AAK dhe të komuniteteve joshumicë. Edhe pse u mbajtën takime veç e veç, nuk ka ende kompromise dhe zgjidhje konkrete për dalje nga ngërçi politik.

Presidentja Osmani kishte deklaruar se në bazë të interpretimit të ekipit të saj ligjor dhe analizave të ekspertëve votimi i fshehtë lejohet në rast se veçse arrihet konsensus mes deputetëve për një mënyrë të tillë të votimit për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Dhe, derisa 26 korriku po afrohet, e para e vendit nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tashmë kanë dorëzuar ndarasi lëndë në Kushtetuese, në lidhje me kushtetushmërinë e seancës konstituive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco