Orav pas reagimit të Qeverisë ndaj vendimit të Supremes: Sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndërhyrjet politike të papranueshme

Orav pas reagimit të Qeverisë ndaj vendimit të Supremes: Sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndërhyrjet politike të papranueshme

14:44, 16/07/2025

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, si dhe deklaratës së Qeverisë në detyrë pas këtij vendimi.

Qeveria në reagim e cilësoi vendimin absurd, teksa Ministrië në detyrë, Hekuran Murati, linçoi gjyqtarët, teksa ua publikoi secilit emrat. Orav ka thënë se sulmet ndaj gjyqtarëve dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme.

“Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav.

Ai ka shpërndarë edhe kundëpërgjigjen e Supremes ndaj reagimit të Qeverisë në detyrë.

Sipas Supremes, reagimi i Qeverisë në detyrë përbën jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Qeveria në detyrë ka dalë me reagim mbrëmë pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, duke e cilësuar si arbitrar.

Në reagimin e publikuar thuhet se arsyetimi është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore, teksa i referohet konstatimit të Supremes për kompetencat e ministrave në detyrë për të nxjerrë akte nënligjore, shkruan Reporteri.net.

“Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, thuhet në reagim.

Qeveria në detyrë thotë se procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, e që sipas tyre kjo i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit”, thuhet në vendim.

Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, Qeveria në detyrë thotë se nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.

“Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”.

Në fund ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë për këtë vendim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco