Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se Kryetari i VV-së, Albin Kurti do të zhvillojë një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ajo bëri të ditur se ekziston vullnet nga të dyja palët për të vazhduar bashkëpunimin, megjithatë deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Kryetari jonë, kryeministri Albin Kurti do të ketë takim me kryetarin Limaj. E kemi bërë të qartë që kemi vullnet nga të dyja palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që ende nuk ka asgjë konkrete”, tha ajo.
Sa i përket zhvillimeve në Kuvend, Haxhiu tha se nuk pritet të ketë ndonjë qëndrim të ri gjatë seancës së sotme.
Haxhiu theksoi se qëndrimet e opozitës mbeten të pandryshuara dhe se deputetët do të votojnë sipas obligimeve të tyre kushtetuese dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, situata politike pritet të mbetet e pandryshuar.
“Nuk besoj që do të ketë qëndrim as sot. I kemi përcjellë qëndrimet e opozitës, nuk është se ata kanë ndryshuar, dhe sot, kushdo që vjen në seancë, do të votojë sipas përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe sipas asaj që thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës, fatkeqësisht”, tha Haxhiu para vazhdimit të seancës konstituive.
© SYRI.net