Sekuestrohen mbi 16 mijë franga të falsifikuara në Han të Elezit, në pranga një person

Sekuestrohen mbi 16 mijë franga të falsifikuara në Han të Elezit, në pranga një person

10:16, 13/07/2025

Mbrëmjen e së shtunës, në pikën kufitare Hani i Elezit është arrestuar një 44-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, ku dhe iu sekuestruan mbi 16 mijë franga që dyshohen se ishin të falsifikuara.

Sipas policisë, dje rreth orës 21:15, në pikën kufitare Hani i Elezit – hyrje, është ndaluar për kontroll një veturë e tipit “Audi A2”, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Republikës së Maqedonisë Veri (RMV), e cila drejtohej nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, me iniciale (S. Xh.) i lindur më 1981 në Shkup.

Policia thotë se pas kontrollit të rregullt në vijën e parë dhe evidentimit të dokumentacionit përkatës, automjeti është selektuar për kontroll të mëtejmë. Gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe policorë, nën ulëset e përparme të veturës janë gjetur qese plastike të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit, të mbushura me monedha metalike 2 franga zvicerane (CHF), të dyshuara si të falsifikuara.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore përfshirë ato të hetuesisë. Pas inventarizimit paraprak, rezulton se janë sekuestruar gjithsej 8,076 monedha x 2 CHF = 16,152 CHF, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe është iniciuar rasti penal për “Falsifikim të parasë”. Vetura si dhe monedhat e dyshuara janë sekuestruar, ndërsa rasti i është dorëzuar njësisë kompetente të hetimeve rajonale për procedura të mëtejme hetimore dhe procedurale”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco