16.5 MILIONË PËR PLEHRAT/ Murati akuzon Përparim Ramën për abuzim me paranë publike

16.5 MILIONË PËR PLEHRAT/ Murati akuzon Përparim Ramën për abuzim me paranë publike

12:46, 12/07/2025

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Komunës së Prishtinës dhe kryetarit të saj, Përparim Rama, duke e cilësuar si “abuzim flagrant të parasë publike” një tender prej 16.5 milionë eurosh për grumbullimin e mbeturinave.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka zbuluar se Komuna e Prishtinës ka shpallur tender për t’ia dhënë këtë shërbim një kompanie private, pavarësisht se në qytet ekziston një ndërmarrje publike që tashmë merret me menaxhimin e mbeturinave.

“Pra, diçka që mund të kryhet nga Ndërmarrja Publike me pak më shumë bashkëpunim e koordinim, po tentohet t’i jepet një kompanie private, për 16.5 milionë euro,” shkruan Murati.

Sipas tij, kjo jo vetëm që është shpenzim i panevojshëm, por edhe rrezikon falimentimin e ndërmarrjes publike dhe largimin nga puna të qindra punëtorëve.

Ministri pyet publikisht: “Ku është prokuroria për këtë rast?”

Ky reagim vjen në kohën kur shpërdorimi i parasë publike është në fokus të debatit publik dhe kritikave ndaj mënyrës së menaxhimit të institucioneve komunale. Përparim Rama ende nuk ka reaguar lidhur me akuzat.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco