Rasti i vdekjes së dyshimtë të Agon Zejnullahut në Lipjan, ka ngjallur shqetësim të madh në opinionin publik dhe ka ngritur shumë pikëpyetje mbi trajtimin e të ndjerit nga ana e pesë policëve tashmë të suspenduar, njofton Syri.net Kosova.
Në një intervistë të dhënë për emisionin Kosova Today, vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, ka ndarë disa detaje tronditëse rreth sjelljes së policëve ndaj Agonit, duke vënë në dyshim profesionalizmin dhe etikën e zbatuesve të ligjit.
“Agoni, vëllau jem që ishte shëndosh e mirë, ka lind në kohë të luftës e mbyten në kohë të paqes”, tha mes emocionesh Alban Zejnullahu, duke aluduar për një trajtim të papërshtatshëm dhe potencialisht të dhunshëm që mund të ketë çuar në vdekjen e vëllait të tij.
Familja Zejnullahu ka bërë thirrje për një hetim të thelluar dhe të plotë, duke kërkuar që të dalin në dritë të gjitha rrethanat që çuan në humbjen e jetës së Agonit, gjersa kanë kërkuar përgjegjësi institucionale.
Rasti mbetet nën hetim dhe ka nxitur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe publiku i gjerë, të cilët kërkojnë transparencë dhe drejtësi./Syri.net
© SYRI.net