Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, duke kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.
Sveçla pret që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe familjarët e opinioni publik të njoftohet me të gjitha të gjeturat për rastin.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.
Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në reagimin e tij pas më shumë se 36 orë, Sveçla thotë se askush s’është mbi ligjin, dhe fajtori do të përballet me drejtësinë duke marrë dënimin e merituar.
Ai gjithashtu shton se Policia vazhdon të jetë institucion i besuar, dhe diçka e tillë duhet të ruhet, ndaj nuk do të kursehet askush.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, ka shkruar Sveçla.
© SYRI.net