Kuçi: Telekom Srbija është krahu i gjatë i Serbisë në luftën hibride kundër Kosovës

Kuçi: Telekom Srbija është krahu i gjatë i Serbisë në luftën hibride kundër Kosovës

13:09, 08/07/2025

Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka dhënë alarmin për rrezikun që, sipas tij, përfaqëson kompania serbe “Telekom Srbija” në Kosovë dhe rajon, duke e quajtur atë një instrument shtetëror të përdorur nga Serbia në kuadër të luftës hibride kundër shtetësisë së Kosovës.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Kuçi ka deklaruar se “Telekom Srbija – përmes degës së saj MTS – ka operuar ilegalisht në Kosovë për vite me radhë, ka shkelur marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 dhe ka sabotuar hetimet e institucioneve të sigurisë.”

“MTS ka fshirë provat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve për sulmin terrorist në Banjskë, dhe ka sabotu institucionet e sigurisë në Kosovë. Kjo kompani nuk është vetëm një operator telefonik – është një instrument i inteligjencës serbe”, shkroi Kuçi.

Sipas tij, Telekom Srbija nuk ka respektuar asnjërën nga kushtet e marrëveshjes për legalizimin e MTS në Kosovë. “Ajo ka zgjeruar rrjetin në mënyrë të jashtëligjshme, ka punësuar persona pa dokumente kosovare dhe ka penguar bashkëpunimin me institucionet vendore”, shton ai.

Kuçi thekson se një nga provat më të qarta për përfshirjen e kësaj kompanie në aktivitete të dyshimta është edhe kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin 2025, që sipas tij, u dërgua nga një numër i rrjetit MTS.

“Rastësi? Jo. Është provë se Serbia përdor Telekomin si mjet të luftës hibride dhe të terrorit psikologjik ndaj institucioneve të Kosovës”, shkruan më tej Kuçi.

Ai ka ngritur shqetësime të mëdha edhe për përpjekjet e Telekom Srbija për të zgjeruar ndikimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, kjo kompani tashmë ka kontroll të madh në tregjet e Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, dhe ka tentuar të hyjë edhe në Shqipëri duke blerë Telekom Albania, tentativë që u ndalua për arsye të sigurisë kombëtare.

Ndër të tjera, Kuçi ka përmendur edhe përdorimin e rrjetit MTS për aktivitete spiunazhi në Serbi, përfshirë përdorimin e spyware-ve si Pegasus dhe NoviSpy ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

“Telekom Srbija nuk është thjesht telekom. Është një mjet i luftës nga Serbia. Dhe duhet trajtuar si i tillë”, përfundon Kuçi.

 

Posimi i plotë:

Telekom Srbija – Krahu i gjatë i shtetit serb në luftën hibride kundër Kosovës 

Pas luftës së Kosovës, MTS – një degë e Telekom Srbija, filloi të operojë ilegalisht në enklavat serbe por me sinjal në shumicën e territorit të Kosovës, duke vendosur antena edhe në kishat ortodokse. 

Në vitin 2015, me Marrëveshjen e Brukselit, ajo u legalizua pjesërisht me kushte të qarta: të respektojë ligjet e Kosovës, të ketë staf me dokumentacion të rregullt, të kufizojë shtrirjen e frekuencave, të bashkëpunojë me organet e sigurisë në Kosovë, etj.

⚠️ Por MTS ka shkelur gjithçka.
• Ka zgjeruar në mënyrë ilegale rrjetin.
• Ka punësuar persona pa dokumente kosovare.
• Ka sabotuar hetimet e institucioneve të sigurisë, etj.

📂 Më keq akoma, ka fshirë provat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka fshirë dhe kamufluar të dhëna për sulmin terrorist në Banjskë, ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve për incidentin në Iber Lepenc dhe shumë raste tjera. MTS nuk është thjesht kompani – është instrument i inteligjencës serbe.

💣 Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës në 2025 u dërgua nga një numër i rrjetit MTS. Rastësi? Jo. Është prova që Serbia përdor Telekomin si mjet të luftës hibride dhe terrorit psikologjik.

📈 Ndërkohë, Telekom Srbija ka ndjekur një strategji agresive të zgjerimit në rajon:
• Në Mal të Zi zotëron mbi 51% të aksioneve të m:tel.
• Në Bosnjë ka mbi 65% të Telekom Srpske.
• Në Kosovë ka krijuar monopol kabllor në zonat me shumicë serbe dhe ka tentuar të blejë IPKO-n me 155 milionë euro.
• Në Shqipëri, tentoi të blejë Telekom Albania – autoritetet shqiptare e ndaluan për arsye sigurie kombëtare.
• Në Maqedoninë e Veriut, funksionon si MVNO me emrin MTEL që nga 2021.

📺 Kanalet e saj, si Arena Sport, u transmetuan edhe në rrjete shqiptare kabllore në Kosovë – një përhapje e propagandës serbe në mënyrë të heshtur.

🕵️‍♂️ Telekom Srbija është gjithashtu një armë spiunazhi. 
Në mars 2025, gazetarët e BIRN Serbia u sulmuan me spyware Pegasus përmes numrave MTS. Amnesty International e konfirmoi përmes analizës forenzike. Po ashtu, policia serbe dhe BIA kanë përdorur pajisjet e Cellebrite për të instaluar NoviSpy në telefonat e gazetarëve të ndaluar.

📵 Kur flasim për Telekom Srbija, nuk po flasim për një operator të zakonshëm. Po flasim për një strukturë shtetërore të përdorur për kontroll, manipulim, frikësim dhe ndërhyrje të thellë në jetën institucionale të Kosovës dhe rajonit.
Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka rënë nën ndikimin e projektit ruso-serb. Prandaj sulmohet. Prandaj manipulohet. Prandaj rrezikohet.

🛑 Telekom Srbija nuk është thjesht telekom. Është një mjet i luftës nga Serbia. Dhe duhet trajtuar si i tillë.

#kosova #serbia #Telekom #MTS #HybridWarfare

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco