Osmani mbështet deklaratën e sekretarit Rubio për sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës

Osmani mbështet deklaratën e sekretarit Rubio për sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës

13:49, 09/03/2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetje të plotë për popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke iu bashkuar mesazhit të Sekretarit të Shtetit amerikan, Marco Rubio.

Ajo ka theksuar se Kosova mbetet e angazhuar për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ne i bashkohemi deklaratës së Sekretarit Rubio dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit,” ka shkruar Osmani në “X”.

Ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova e dënon fuqishëm çdo veprim që dëmton themelet e Bosnjës dhe Hercegovinës, pasi një veprim i tillë mund të kërcënojë paqen dhe stabilitetin që rajoni ka arritur me shumë sakrifica dhe me mbështetje të palëkundur amerikane.

“Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet thelbësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes afatgjatë, si dhe një të ardhmeje Euro-Atlantike. Ne jemi të angazhuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim,” ka shtuar Osmani.

Shtetet e Bashkuara inkurajuan liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.

SHBA-ja u bëri thirrje edhe partnerëve të tyre në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco