‘Engjëjt’, Naser Shatrolli: Plaga në Kosovë është e hapur, instancat të gjejnë të humburit

21:27, 08/03/2025

I ftuar në "Odeon" në Syri TV, regjisori Naser Shatrolli theksoi se "Engjëjt" nuk është thjesht një shfaqje teatri, por një reflektim i thellë mbi dhimbjen, kujtesën dhe kërkimin e drejtësisë. Kjo dramë sjell në skenë një plagë ende të hapur të historisë sonë, duke e shndërruar dhimbjen individuale në një mesazh universal.

"Dëshira ime është që kjo shfaqje të frymojë me audiencën shqiptare, sepse për lirinë e Kosovës, për gjithçka që ka ndodhur atje, Shqipëria dhe populli i saj kanë pasur një pjesëmarrje dhe një hisenë të jashtëzakonshme. Kjo është shfaqja jonë e përbashkët, është një temë e jona e përbashkët dhe një plagë që, edhe pas 25 vitesh, mbetet e hapur. Varret e të pagjeturve janë ende të hapura. Nënat tona në Prishtinë, para qeverisë, qëndrojnë ende me fotografitë e të zhdukurve në gjoks. Dhe ato fotografi të Prishtinës do t’i keni këtu, në skenë, duke pritur që, në një formë, të bëhen pjesë e kësaj drame.

Nuk është vetëm një dramë kosovare apo shqiptare. Lufta e Kosovës lidhet edhe me Ukrainën dhe me të gjitha luftrat kudo në botë, me njerëz që humbin dhe kurrë nuk gjenden eshtrat e tyre. Është një nga projektet më provokative dhe më të vështira për nga kërkesat artistike dhe tematika që trajton. Kjo dramë flet për një përvojë të përjetuar dhe konkrete. Sot, imazhet e luftës janë të shpërndara në gjithë universin. Të gjithë i kanë parë ato pamje të trishtuara të grave që mbanin fëmijët e tyre në krah dhe vinin këmbëzbathur në Shqipëri, në Maqedoni apo në vende të tjera.

Në këtë shfaqje kam tentuar të jem shumë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për ta trajtuar veprën me seriozitet dhe ndershmëri artistike. Është e rëndësishme të mos ngacmojmë plagë pa qenë të vërtetë në kuptimin artistik, sepse edhe arti mbështetjen dhe bazamentin e ka në të vërtetën e asaj që ka ndodhur në Kosovë. Kjo shfaqje mbart një mesazh më të gjerë, sepse është e rëndësishme të kujtojmë çfarë ka ndodhur, por edhe të nxisim ndërgjegjësimin te instancat vendore dhe ndërkombëtare që të hulumtojnë dhe të gjejnë mënyra për të identifikuar dhe kthyer të pagjeturit tek familjet e tyre," u shpreh Shatrolli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco