Një studim i ri ka zbuluar se shumica e postimeve në mediat sociale që promovojnë teste mjekësore janë “mashtruese”, duke ngritur shqetësime mbi rrezikun e mbidiagnozës dhe përdorimit të panevojshëm të këtyre testeve.
Studiuesit analizuan mbi 900 postime në Instagram dhe TikTok, duke u fokusuar te përdoruesit me më shumë se 1,000 ndjekës. Ata zbuluan se më shumë se 80% e postimeve kishin një ton “promocional”, ndërsa vetëm 6% përmendnin prova shkencore mbi efektivitetin e testeve.
“Shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin jashtëzakonisht mashtruese,” tha Dr. Brooke Nickel, udhëheqësja e studimit nga Universiteti i Sidneit. Ajo shtoi se shumë teste promovohen si mjete për kontrollin e shëndetit, por në realitet janë të panevojshme dhe mbështeten në prova të dyshimta shkencore.
Studiuesit analizuan promovimin e pesë testeve mjekësore, përfshirë MRI për trupin e plotë, testet gjenetike për kancer, analizat për zorrët, nivelet e testosteronit dhe numrin e vezëve tek gratë. Ata paralajmëruan se përdorimi i tyre pa nevojë mund të çojë në mbidiagnozë, ku njerëzit diagnostikohen me sëmundje që nuk do t’u shkaktonin kurrë dëm.
Një tjetër gjetje shqetësuese ishte se 68% e ndikuesve kishin interesa financiare nga promovimi i këtyre testeve, si kode zbritjeje ose partneritete me pagesë. “Një nga temat kryesore që përdorin ndikuesit është ‘njohuria është fuqi’, por shpesh informacioni që japin është i pjesshëm dhe mashtrues,” tha Nickel.
Nga ana tjetër, postimet nga mjekët, të cilët përfaqësonin 15% të totalit, kishin më pak gjasa të ishin promovuese dhe më shumë gjasa të përmendnin rreziqet e mundshme.
Ekspertët kërkojnë rregullim më të fortë për të parandaluar përhapjen e dezinformatave mjekësore në mediat sociale, të cilat, sipas tyre, rrezikojnë shëndetin publik dhe qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësore./ Euronews - Syri.Net
© SYRI.net