Vjosa Osmani duhet ta ketë edhe një mandat si presidente e Kosovës!

Vjosa Osmani duhet ta ketë edhe një mandat si presidente e Kosovës!

10:53, 28/02/2025 Nga Enver Bytyçi

Nga Enver Bytyçi/

Votat e diasporës janë në proces numërimi. Trendi është që mbi 70 për qind të tyre t’i ketë fituar koalicioni Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa. Pra kreu i kësaj aleance, Albin Kurti, votat për të cilin shkojnë në harmoni me votat për këtë bashkim subjektesh mund ta formojë pa vështirësi qeverinë e re. Kjo do të thotë se Kurti do të ketë ndoshta 50 deputetë. Ai nuk do ta ketë të vështirë që me këtë numër deputetësh të formojë mazhorancën dhe qeverinë. Aq më tepër tani që Fatmir Limaj vetë i tretë i bashkohet kësaj mazhorance. Pra, Kurti, për ta formuar qeverinë, nuk do të ketë nevojë për një nga dy partitë më të mëdha të Kosovës e as për Listën Srpska të Aleksandër Vuçiq.

Por në kushtet e zhvillimeve në rajon, në Evropë e në glob, më e mira do të ishte që në Kosovë të kishim një qeveri të koalicionit të gjerë, të cilin do ta udhëhiqte Albin Kurti. Kosova ka nevojë për një konsensus të gjerë në këto zhvillime. Ka nevojë për bashkim forcash dhe idesh, mendjesh dhe karakteresh. Megjithatë është fituesi ai që vendos se me kë do të qeveris dhe çfarë do të duhet të bëjë. Përgjegjësitë për qeverisjen me rrisqet dhe avantazhet e saj i përballon ai që krijon qeverinë e re. Me rëndësi është fakti që zgjedhjet prodhuan një qeverisje të qëndrueshme.

Por sido që të bëhen negociatat dhe pavarësisht se kush do të jetë partner në qeverisjen e re, një gjë duhet të vendoset që sot. Vjosa Osmani duhet ta marrë edhe një mandat të dytë si kryetare e shtetit të Kosovës. Logjika e nevoja e Kosovës është që ajo ta çojë më tej punën që ka bërë në këto katër vite ose që do ta bëjë edhe në vitin e saj të pestë. Gjatë kësaj periudhe Vjosa Osmani ka dëshmuar aftësi dhe ka siguruar përkrahje maksimale të mundshme të partnerëve ndërkombëtarë. Ajo është e vetmja politikane e lartë e Kosovës që njihet personalisht me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Në një farë mënyre ka vendosur ura lidhjeje dhe mirëkuptimi edhe me administratën e re amerikane.

Vjosa Osmani shfaq një performancë të admirueshme te partnerët ndërkombëtarë dhe ka mbështetje të gjerë në opinionin publik të Kosovës e te shqiptarët në rajon. Personalisht nuk do të doja që ajo të kishte krijuar lidhjet e njohura me kryeministrin më të mirë për Serbinë që nga koha e Pashiqit, pra me Edi Ramën, por ndoshta kjo qasje ka prodhuar edhe gjëra pozitive për Kosovën. Sido që Rama lidhjet me Vjosën i shfrytëzoi për të nxit konflikt të ri në skenën politike të Kosovës. Megjithatë ajo është e preferuar dhe e mirëpritur nga shumica dërmuese e opinionit publik si presidente e Republikës së Kosovës. Ata që nuk duan ta besojnë këtë, kanë mundësinë të bëjnë ndonjë sondazh dhe nëse politikën e ndërtojmë bazuar në sondazhe, atëherë nuk gabojmë në zgjedhjet që bëjmë.

Vjosa Osmani është e artikuluar. Deri më sot askush nuk ka vënë re te ajo ndonjë luhatje sado të vogël për mbrojtjen e shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Është shfaqur e vendosur dhe e përkushtuar në parim dhe vlera. Ka nga ata që thonë se “Vjosa është karrieriste”! Por unë mund t’u them kritikëve të tillë se kritika për karrierizëm është reminishencë e botëkuptimit të periudhës së diktaturës komuniste. Politikani merret me politikë për të bërë karrierë. Çështja është se cilat janë mjetet për të arritur shkallët më të larta të karrierës. Max Weber është një sociolog i shquar i politikës. Ai shkruan se ka dy lloj politikanësh: - Politikanë që synojnë pushtetin për t’i shërbyer interesave të shtetit e të qytetarëve dhe politikanë që synojnë pushtetin për të plotësuar egon për interesa personale dhe prestigj të pamerituar e imponuar!

Vjosa Osmani ka dëshmuar se është politikane që ka synuar pushtetin dhe drejton shtetin për interesat e shtetit, të kombit dhe të qytetarëve të Kosovës. Prandaj ajo duhet të ketë edhe një mandat tjetër. Kosova nuk ka luksin në këto kohë të turbullta për të e për çdokënd tjetër të bëjë eksperimente. Ndaj dhe Albin Kurti duhet ta ndajë mendjen: - Me këdo që dë të bëjë koalicion, nuk duhet ta diskutojë e ta vejë në pazar postin e kreut të shtetit. Kreu i shtetit është institucion që nuk preket nga interesa të ngushta!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco