Mbrëmja gala “Kërcimtari Fluturues” riktheu në skenë shpirtin e madh të Rexhep Çelikut, ikonës së valles shqiptare. Vëllai i tij, Arben Çeliku, solli në “Odeon” kujtime të forta mbi përkushtimin dhe disiplinën e tij artistike, duke e përshkruar si një figurë që nuk njihte lodhje dhe e mbajti Ansamblin Kombëtar me sakrifica të mëdha. Ai vlerësoi sukseset dhe çmimet e vonuara të Rexhepit, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi të ardhmen e Ansamblit dhe ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike.
Pjesë nga biseda
Vëllai Arben Çeliku: Kur kam punuar me Rexhepin, jam paralizuar nga këmbët. Sepse kërkonte shumë lëvizje. Ai kërcente me forcë, ishte 2 metra, një metër shkëputej nga toka, hapte duart, dilte katër, dhe më thoshte edhe mua hidhu. Rexhepi nuk njihte lodhje. Ai fillonte punën, dhe ajo punë ishte brenda shpirtit të tij si artist. T’i thoje që u lodhe, e ofendoje. Edhe në prova e sipër me Rexhepin, unë isha i përgatitur me tuta baleti, me papuçe baleti, me bluzë, edhe ai më tha: "Unë vij nga provat, a ke ti bluzë të tjera?" I thashë unë një kam. "Për çfarë ke ardhur këtu, me një bluzë punoke ti?"
Mënyrën se si e kapi Ansamblin Popullor Rexhepi në atë kohë ishte një periudhë shumë e vështirë. Ansambli ishte këtu mbi 25 çifte, mbushej komplet Teatri i Operas me ato çifte, edhe koreografi di se çfarë punon, si krijon. Kur e mori Rexhepi, ishte me 6 çifte. Me 6 çifte ti nuk mund të bësh dot gjë përveçse duete, kuartete dhe krijimtarinë nuk e bën dot, do marrësh njerëz të tjerë nga jashtë. Ai e mbajti dhe e mbajti me sakrifica të forta, dhe jepte maksimumin në trupë. Talentet nuk kanë munguar, por me talentet duhet edhe punë. Rexhepi e ka mbajtur Ansamblin deri në ditët e fundit, dhe kishte kërkesa llogarie. Atë që kishte nga brenda, nuk mbajti sekrete. Kishte dëshirë që kjo traditë të vazhdonte.
Unë i dhurova një kamerë, me atë bënte filmime. Ishte kërkues karshi materialeve. Shikonte valltarët burimorë, i përpunonte vetë, kurse tani unë shoh që nuk bëhen më ekspedita për të parë kërcimtarët burimorë, kërcimtarët që lidhen me popullin. Si kërcen njëri, si kërcen tjetri. Kishte një dëshirë të madhe në jetë dhe i arriti qëllimet, i arriti sukseset si brenda dhe jashtë vendit.
Egla Xhemalaj: Ishte i kënaqur ai me vlerësimet? Ne e përmendëm vlerësime nga Shqipëria, vlerësime nga e gjithë bota, për profesionalizmin e tij, për vlerën artistike, po ai vetë kishte një peng, një merak apo diçka të parealizuar sipas jush?
Arben Çeliku: Rexhepi ishte i kënaqur, por ai thoshte: "Edhe s’e meritoj unë, e meriton ti." Respektonte më të vjetrit që ishte maestro Besimi, Lilin. Rexhepi gjithmonë ka qenë realist, objektiv. "Ta marrë çmimin Besimi, pastaj ta marr unë, se unë jam mbrapa Besimit." Edhe këto surreale… Rexhepi është i kënaqur me gjithçka që ka marrë, por ia kanë dhënë një çik me vonesë. Nuk jepet çmim katër ditë para se të iki nga jeta. Nuk mund t’i bëj koment. E sheh që ai po ikën e ti po i jep një medalie? Jo, ai e meritonte më përpara. Merita e tij ka qenë kur ka qenë kulmi i tij si kërcimtar, kulmi ka qenë në moshën 30 vjeç.
Del një pikëpyetje e madhe. Ku është Ansambli me 25 çifte? Nuk ka fondacion për t’i marrë nga shkolla e Baletit për t’i futur këtu? Një pikëpyetje e madhe dhe kjo, se ansamblet e tjera dalin me 40 çifte, e si ta lësh Ansamblin e Shtetit me 6 çifte e të tjerët të vijnë e punojnë në mënyrë humane?
© SYRI.net