Në Kosovë vijon ende numërimi i votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj here janë përfshirë personalitete nga bota e sportit, duke sjellë disa emra që kanë dhënë kontribut, por edhe disa të tjerë që kanë lidhje me yjet e futbollit tonë.
I vetmi që ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës është trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli. Ai ka garuar si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke siguruar plot 14,554 vota.
Duke pritur ende votat nga diaspora, shanse të mëdha për t’u bërë deputet ka edhe babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka. Aktualisht, ai numëron 13,221 vota, ndërsa me votat nga mërgimtarët mund të sigurojë një ulëse në Kuvend.
Në këto zgjedhje, për t’u bërë pjesë e legjislaturës së nëntë nuk ia doli Lumbardh Salihu, i cili garoi në listën e LDK-së, duke marrë vetëm 5,332 vota.
As babai i Edon Zhegrovës, Lulzim Zhegrova, që po ashtu ishte pjesë e listës së LDK-së, nuk arriti të sigurojë ulëse, duke marrë vetëm 3,473 vota.
Ndërkohë, Mërgim Mavraj mbeti dukshëm më larg, pasi si pjesë e listës së Koalicionit për Familje, ai mori vetëm 1,806 vota.
Deri në përfundimin e plotë të numërimit të votave, mbetet të shihet nëse Ragip Xhaka do të arrijë të bëhet deputet apo jo.

© SYRI.net