Diplomati Agim Nesho, i ftuar në edicionin informativ të orës 16:00 në Syri Televizion me moderator Edvin Parruca, trajtoi çështjet delikate të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nesho theksoi se politika shpesh vepron për inerci, duke u ndikuar nga paragjykime dhe interesa të ngushta, edhe kur situata kërkon bashkim.
Ai kritikoi ashpër qasjen e Kryeministrit Rama, duke e cilësuar si antikombëtare dhe kundër interesave të Kosovës. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve janë degraduar për shkak të protagonizmit të Ramës dhe refuzimit të tij për të mbështetur çështje kyçe si njohja ndërkombëtare e Kosovës apo dënimi i gjenocidit serb.
Nesho e konsideroi të panevojshme retorikën e bashkimit të rremë që Rama shfaq në deklaratat publike, duke theksuar se raportet e tij me Vuçiçin janë në favor të interesave serbe. Për të forcuar pozitën e Kosovës, ai apeloi për një politikë më të konsoliduar dhe një opinion publik të unifikuar.
'Ka pasur një vëmendje të shtuar nga shumëkush: analistë, gazetarë dhe opinioni publik, për arsye se ndoshta ishte një ngjarje e sforcuar. Politika shpesh vepron për inerci dhe gjithmonë ka disa paragjykime që nuk mund të shmangen, edhe kur duhet të jemi të bashkuar. Por mbi çfarë baze? Kjo është pyetja më e madhe që lind dhe hap diskutime, sepse kemi parë një politikë të tejzgjatur të Ramës në Shqipëri, e cila deri më tani ka qenë kryekëput antikombëtare dhe kundër interesave të Kosovës.
Pse duheshin deklaratat në parlament për t’iu shitur opinionit publik si një “bashkim i rremë”? Dua të them që ishin të panevojshme, sepse gjatë një periudhe të gjatë kemi parë një Ramë që ka refuzuar të gjitha kërkesat e Kosovës, duke përfshirë edhe atë për të dënuar gjenocidin e ushtruar nga regjimi kriminal i Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës. Kemi parë një Ramë i cili gjithmonë ka kërkuar të ushtrojë mbikëqyrje të plotë ndaj politikës së Kosovës, kur në fakt raportet duhej të ishin të kundërta.
Rama nuk ka arritur të prodhojë asgjë konkrete për njohjen e Kosovës për 13 vjet. Përkundrazi, ai ka bërë deklarata në favor të nacionalistëve të Vuçiçit, duke thënë se veriu i Kosovës është “pronë e askujt”. Për më tepër, protagonizmi i tij ka qenë tepër i dëmshëm, duke u vetëofruar në negociatat për Asociacionin e Komunave Serbe – një çështje tepër delikate që duhet ta zgjidhin institucionet legjitime të Kosovës. Kjo lidhet me një precedent tepër të rrezikshëm të politikave ekspansioniste të Serbisë, të cilat tashmë janë aplikuar në hapësirat e Republikës Srpska.
Të gjitha këto tregojnë se nuk ka si të ngjitet narrativa e një “bashkimi”. Ishte thjesht një marrëdhënie interesi nga ana e Ramës, për të shmangur kritikat që i bëheshin se është “i papëlqyeshëm” dhe nuk bashkëpunon mirë me komunitetin ndërkombëtar. Ai ka degraduar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës në nivel zero.
Në fakt, qëndroj fuqimisht te mendimi se ai fjalim ishte i panevojshëm. Kurti nuk mund të bënte as rehabilitimin dhe as legjitimimin e një figure që tashmë, siç ka deklaruar edhe gazetari i famshëm Martens, perceptohet nga shtypi ndërkombëtar si “një Pashiç i ri”, që i shërben interesave të Serbisë më mirë se vetë diktatorët e saj. Në këtë kuptim, gjithçka mund të ishte anashkaluar.
Është shumë e rëndësishme që kjo të kuptohet, veçanërisht në Kosovë. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk do të kishte përballë një politikë sharlatane si ajo e Ramës, e cila luhatet mes klientelizmit dhe servilizmit për interesa të dyshimta, Kosova do të kishte një politikë më të fortë dhe më të konsoliduar. Një opinion publik i unifikuar do ta bënte më të lehtë mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe interesave kombëtare të saj.'- u shpreh Nesho.
© SYRI.net