Gjatë një interviste për emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, analisti politik Sefer Selimi diskutoi mbi sfidat e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike.
Selimi theksoi se minimizimi i gjuhës shqipe është ndër problemet më të vogla aktualisht, duke ngritur pyetjen se si vendi arriti në këtë pikë. Ai shpjegoi se, pas fitores së VMRO-DPMNE-së, klima politike është mbushur me sentiment antishqiptar, të nxitur nga një qeveri që zbatoi programin e saj me përpikëri.
Sipas tij, kjo qasje bazohet në një filozofi që kërkon 'rikthimin e Maqedonisë tek maqedonasit', gjë që është paraqitur si një “rikthim i dinjitetit”. Në këtë kontekst, vendimi i gjykatës për të anuluar balancuesin për shqiptarët dhe mungesa e reagimit nga partitë e koalicionit e kanë përkeqësuar situatën. Për Selimin, kjo qasje e re politike po ndikon direkt në të drejtat e shqiptarëve, duke i bërë ata të ndihen të përjashtuar dhe të pavlerësuar në vendimmarrjet qeveritare.
'Unë do ta quaja që minimizimi i gjuhës shqipe është problemi më i vogël i mundshëm që kemi aktualisht.
Si arritëm deri këtu është pikëpyetja që meriton të shtjellohet në opinion. Problemi është atmosfera e krijuar pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe krijimit të një qeverie e cila po zbaton programin pikë për presje të asaj që, për fat të keq, VMRO e fitoi me një legjitimitet të madh nga popullata maqedonase, duke ndërtuar një politikë ose fushatë të bazuar kryekëput mbi sentimentin antishqiptar. E ndërtuar mbi një filozofi që nënkuptonte rikthimin e Maqedonisë, ose të paktën kështu e paraqitnin përpara popullatës së tyre, rikthimin e Maqedonisë tek maqedonasit.
E gjithë kjo atmosferë e krijuar nuk shfaqet vetëm në vendimin e gjykatës për të anuluar balancuesin si mekanizëm mbrojtës ose mundësues për krijimin e kushteve të barabarta që shqiptarët të punësohen në institucione publike. Kjo sjell edhe një sërë politikash që i shohim çdo ditë nga qeveria e Maqedonisë, dhe për fat të keq nuk ka një reagim serioz brenda koalicionit nga partitë politike që u bënë pjesë e kësaj mazhorance.
Pra, ashtu si balancuesi, edhe diskutimi për ligjin mbi gjuhën shqipe është vetëm pasojë e situatës së re të krijuar brenda Maqedonisë, ku, për fat të keq, ekziston një tendencë që maqedonasit, duke pasur tani një qeveri më të fuqishme, ku shqiptarët kanë pak zë në vendimmarrje, të përpiqen të kthejnë ‘dinjitetin e humbur’ të maqedonasve, siç do ta cilësonin ata, duke shkelur mbi dinjitetin e shqiptarëve.'- u shpreh Selimi.
© SYRI.net