‘Nëse doni të më dërgoni në Shqipëri, kjo është një vendimmarrje që ju takon juve. Por ju vë në dijeni se 16 banda kriminale më kanë vënë në shënjestër për të më eliminuar. Këtë nuk e them unë, nuk është mbi të dhëna që i kam ditur, por i kam mësuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe medias së shkruar shqiptare që i përmendin me emra.
Disa prej emrave që përmenden nëpër media, janë edhe persona që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, dhe ende nuk janë arrestuar. Më rrezikohet jeta, kërkoj ta vlerësoni këtë çështje para se të merret një vendim për dërgimin tim në Shqipëri ose jo’.
Ky është qëndrimi që durim Bami ka mbajtur përballë autoriteteve të Emiratit të Dubait, pas arrestimit të tij për herë të dytë, në kuadër të një urdhëri ndërkombëtar arresti lëshuar nga drejtësia shqiptare.
Bami kundërshton ardhjen e tij në Shqipëri në çfarëdo forme, me pretendimin se i rrezikohet jeta, por bie në sy se deklarimet janë dhënë jo mbi bazën e informacioneve apo dijeni që ka ai personalisht, por duke përdorur si argument të dhënat e publikuara në media, duke shmangur kështu marrjen përsipër të pasjes dijeni në rrugë të tjera, çfarë do ti bënin me vlerë për hetimet deklarimet e tij.
Bami akuzohet se kishte paguar për eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, një tjetër person ky në kërkim në kuadër të dosjes ‘revanshi’, ku u zbulua roli I tij në një sërë ngjarjesh kriminale, apo tentative vrasjesh për motive hakmarrjeje, të dhëna këto që u zbuluan nga bisedat e zhvilluara mes grupeve kriminale në aplikacionin SKY Ec, të ardhura në Shqipëri nga Belgjika dhe Franca.
Vetë Ndoka sipas SPAK ofronte 1 milion euro për eliminimin e Durim Bamit për motive hakmarrjeje. Për herë të parë, krutani nga Nikla u ndalua në Dubai në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm kishin lëshuar në muajin Maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.
Por disa kohë më pas ai u lirua nga Gjykata e Dubait, pavarësisht se ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme premtuan sjelljen e tij para drejtësisë.
© SYRI.net