Pezullimi i tenderit 18 milionësh për sheshin “Xhorxh Bush”, pretendimet e kompanisë që u ankua në OSHP

Pezullimi i tenderit 18 milionësh për sheshin “Xhorxh Bush”, pretendimet e kompanisë që u ankua në OSHP

22:57, 12/09/2024

Komuna e Prishtinës ka pezulluar tenderin 18 milionë eurosh për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. Arsye ka qenë ankesa që ka ushtruar në Organin Shqyrtues të Prokurorit, një prej kompanive. Por, cilat janë pretendimet e saj?

Kompania “PHANTOM SOLUTIONS SH.P.K.”, në ankesën kundër Komunës së Prishtinës të dorëzuar në OSHP pretendon se komuna ka vendosur kërkesa “të panevojshme dhe rrjedhimisht diskriminuese”, tek kërkesat për stafin profesional, shkruan Reporteri.net.

“Për menaxherin e projektit është kërkuar që të ketë certifikatë për mbrojtjen nga zjarri ndër të tjera. E ndërsa inxhineri i radhës i ndërtimtarisë, drejtimi hidroteknike është kërkuar që të ketë certifikatë për testim të tubacioneve EN805 Ë400, kërkesë kjo që nuk ka të bëje me projektin, por aplikohet në projektet e shtrirjes së ujësjellesit dhe tubave me presion. Për një inxhinier tjetër është kerkuar që të jetë i certifikuar sipas ISO 9001. Ky certifikim është certifikatë që i lëshohet kompanive për sisteme cilësore të menaxhimit, por nuk ka të bëje me individët. Pyetja që shtrohet për Autoritetin Kontraktues është perse pikërkisht për këtë inxhinier është kerkuar kjo certifikatë, e jo për ndonjë nga inxhinierët e tjerë, kur kjo certifikate nuk ka të bëjë asgjë me kualifikimin e inxhinierëve apo aftesinë e tyre inxhinierike/teknike”, thuhet në ankesë.

Aty thuhet edhe se autoriteti kontraktues nuk ka përgjirë të gjitha informacionet e përcaktuara në formularin standard të miratuar nga KRPP.
 

Në njoftimin paraprak thuhet se është njoftuar se vlera e parashikuar e projektit është 500 mijë euro, ndërsa është publikuar tenderi me afat të shkurtuar në mbi 18 milionë euro.

Edhe për afatin e shkurtuar, kjo kompani thotë se Komuna e Prishtinës nuk e ka plotësuar kushtin e përdorimit të këtij afati ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik.

“Me rastin e përcaktimit të afatit të fundit për dorëzimin e tenderëve, AK ka vepruar në kundershtim me Nenin 44 dhe Nenin 45 te LPP. Sipas dispozitave të Nenit 44 te LPP, në rastet e kontratave me vlerë të madhe, AK duhet që të mbajë tenderin të hapur në një afat jo me pak se 40 ditë. Ndërsa në rastet kur ka njoftim paraprak, atëherë tenderi duhet të jetë i hapur në një afat jo më pak se 24 ditë. Afati i fundit i caktuar nga Autoriteti Kontraktues është me i shkurtër se 40 ditë, dhe me i shkurtër edhe se 24 ditë”, thuhet në ankesë.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka dalë sot më një reagim për këtë çështje.

“Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik NUK NËNKUPTON SHKELJE PROCEDURALE E LIGJORE, E AS NDALIM TË AKTIVITETIT TË PROKURIMIT, POR ËSHTË MASË AUTOMATIKE E PARAPARË ME LIGJ pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”, thuhet në reagim.

Komuna ka thënë se të gjitha deklaratat për shkelje ligjore në këtë aktivitet janë të pasakta dhe tendencioze.

“Kryeqyteti i siguron qytetarët se ka zbatuar me përpikmëri legjislacionin në fuqi për këtë aktivitet si edhe për çdo aktivitet tjetër”, thuhet tutje.

   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco