Osmani pasi u nderua me çmim: Nuk është vetëm për mua, është për popullin tim që ka luftuar për liri

Osmani pasi u nderua me çmim: Nuk është vetëm për mua, është për popullin tim që ka luftuar për liri

20:47, 12/09/2024

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve pasi iu nda çmimi i forumit “M100” në Postdam të Gjermanisë, ku tha se çmimi nuk është vetëm për të, por edhe për popullin e Kosovës që ka luftuar për lirinë.

Osmani tha se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë që është rritur pa luftë, derisa shtoi se të gjithë bashkë duhet të sigurohemi që ata kurrë të mos njohin të kundërtën e paqes, shkruan Reporteri.net.

“Sa më shumë e mendoj, aq më shumë bindem se ky çmim nuk është vetëm për mua; ka të bëjë me atë që unë përfaqësoj” – tha Osmani në ceremoninë e zhvilluar në Potsdam të Gjermanisë.

Osmani ka përmendur edhe dhimbjen që e ka populli i Ukrainës derisa janë duke përjetuar luftën e nisur nga Rusia.

“Vetëm vitin e kaluar, isha e ulur në audiencë duke parë teksa po i jepnit çmimin M100 popullit të Ukrainës. Paraprakisht u shfaq një video. Një që përshkruan dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shtëpive të stërgjyshërve të tyre, por gjithashtu tregon guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për të lirinë dhe demokracinë, me çdo gjë që duhet”, është shprehur Osmani.

Osmani ka theksuar se kosovarët e ndjejnë dhimbjen që sot ukrainasit e përjetojnë.

“Por siç ndodh me të gjithë që vijnë nga Kosova, kur shikojmë këto video të Ukrainës, nuk është thjesht një ndjenjë e largët apo për ndonjë nocion abstrakt i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe domosdoshmërisë për mbrojtjen e tyre. Për ne, është një tmerr i rijetuar, një dhimbje e ndjerë vazhdimisht, një plagë shumë e thellë, por një plagë që nuk na ka penguar kurrë të bëhemi të mbijetuar që lulëzuan. Ne ishim në vendin e tyre, ishim në pozitën e tyre, pamë shkatërrimin dhe vuajtjen që sjell e kundërta e demokracisë, prandaj sot jemi kaq të përkushtuar, kaq të palëkundur dhe kaq të vendosur për të luftuar çdo betejë dhe për ta paguar me çdo çmim sigurimin e mbijetesës dhe suksesit”.

Osmani tha se Kosova është kjo që është sot vetëm pasi në vitin 99, Gjermania përkrah gjithë aleatëve të tjerë në NATO u bënë bashkë në përkrahje të betëjës tonë për çlirimin nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit

“Më 24 mars 99, fluturaket e Bundesëehr iu bashkuan NATO’s për të ndalë vuajtjen e shkatërrimin që atëherë po ndodhnin në Kosovë…Ky vendim shënoi pikën e kthesës vendimtare në politikën e jashtme të Gjermanisë, por një moment kthese në vetë historinë e NATO’s. Për ne që ishim aty në terren, që po ju shikonim nga poshtë që po vinit të na e shpëtonit jetën, për ne kjo kishte kuptim edhe më të madh. Kuptimi ishte që po shpëtoheshim dhe përfundimisht do të arrinim të ekzistonim”, tha Osmani.

Ajo falenderoi të 50 mijë ushtarët gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999.

“Sot në këtë frymë, ushtarët gjermanë vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë duke bartur trashëgiminë e një veprimi në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vazhdueshme. Për këtë dua të falenderoj në emrin e popullit të Kosovës mbi 50 mijë ushtarë gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që kanë shërbyer në Kosovë nga viti 1999, duke përfshirë edhe vetë Kryetarin e Bashkisë së Postdamit, z. Schubert, që ka ardhur për të shërbyer për paqe dhe siguri dhe për tu siguruar që asnjëherë të mos kthehemi prapa. I keni rrezikuar jetët tuaja për të mbrojtur atë që kemi arritur”, ka deklaruar Osmani.

Në fjalimin e saj ku u fol për luftën, drejtësinë, barazinë gjinore, luftimin e dezinformatave e shumë tema të tjera, një pjesë iu nda edhe ngritjes së grave.

“Kur gratë ngrihen, ato nuk ngrihen vetëm; ato ngrenë kombe të tëra. Ato thyejnë tavanet e xhamit, thyejnë barrierat dhe sfidojnë status quo-në. Zërat e tyre kërkojnë të dëgjohen, forca e tyre riformëson botën dhe guximi i tyre ndez ndryshime pozitive” – tha presidentja e Kosovës.

Teksa qëndronte përballë të pranishmëve në ceremoninë ku mori çmimin, presidentja tha se po mendon për të gjitha vajzat dhe gratë në shtëpi, në Kosovë.

“Unë u them atyre se është në ngritjen e të gjithë juve që ne gjejmë forcën për të bërë histori, për të kërkuar drejtësi dhe për të transformuar të ardhmen tonë. Me ju dhe nëpërmjet jush, ne qëndrojmë ditë pas dite më të fortë, më krenarë dhe më gjatë” – ishte mesazhi i presidentes për gratë e Kosovës dhe jo vetëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco