Për të siguruar mjetet financiare për blerjen e tërë këtij armatimi u deshën 6 vjet kohë.
Madje për përdorimin e tyre e për të diskutuar qëllimet që kishin, ky grup i armatosur serbësh, i zhvillonin në disa lokacione në shtetin e Serbisë.
Grupi terrorist sulmin e planifikuar e nisi më 24 shtator të 2023, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor, por qëllimin që kishin nuk e arritën.
Detajet për rastin e Banjskës janë të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila njoftoi një ditë më parë, për ngritjen e saj ndaj 45 personave.
Qëllimi i grupit të udhëhequr nga Milan Radoiciq ishte i qartë.
“Përmes dhunës së përdorur, grupi i strukturuar dhe i udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoićić, kanë tentuar që të shkëpusin veriun e territorit të Kosovës që përfshijnë komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile, rrjedhimisht me këto veprime kanë kryer edhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të KPRK-së,” thuhet në aktakuzë.
Aktakuza 158 faqëshe e Prokurorisë tregon se Radoiçiq, si udhëheqës i grupit nga viti 2017 kishte mbledhur kryesisht përmes tenderëve publikë të ardhurat për të siguruar çdo gjë që iu duhej.
Miliona euro, shumica e të cilëve për blerjen e armatimit, e për organizimin e sulmit të 24 shtatorit, Prokuroria e bënë fajtore Serbinë.
“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit Serb. Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës. Skema e fuqizimit ekonomik përmes grumbullimit të fondeve me qëllim të financimit të terrorizmit në Kosovë për të pandehurin Milan Radoiçiq është bërë përmes hapjes së bizneseve në mënyrë ligjore me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave apo maskimit të origjinës së parave, që në sytë e publikut dhe të autoriteteve zyrtare të duket gjithçka e ligjshme. I pandehuri Milan Radoiçiq ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte në cilësi të pronarit në biznese dhe në mënyrë indirekte,” thuhet në aktakuzë.
Megjithëkëtë, grupi terrorist në krye me Milan Radoiçiqin financimin nuk e siguruan vetëm nga Serbia por edhe nga tenderët publikë që i merrnin nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat veriore por edhe ministri.
“Gjatë analizimit dhe krahasimit të secilës prej këtyre kontratave, kjo prokurori ka arritur në përfundim se “D.O.O.RAD 028 Zveçan” e regjistruar në sistemin paralel në Serbi, ka të përfituar 192 kontrata (te dy grupet e kontratave) për periudhën kohore 2020 deri me 31.07.2024, ku totali i këtyre kontratave arrin vlerën e rreth 67.5 milion euro apo në dinar serb 7,939,807,482.60. Nga të gjitha kontratat e dhëna, vërtetohet se nuk ka pasur gjasa që të nënshkruhet asnjë kontratë pa qenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë të pandehurit Milan Radoićić dhe Radule Steviq,” thuhet tutje në aktakuzë.
45 persona ka arritur Prokuroria Speciale t’i identifikojë si pjesë e këtij grupi terrorist dhe të cilët i ka akuzuar për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 por vetëm 3 prej tyre janë në paraburgim kurse 42, përfshirë Milan Radoiçiqin janë në liri.
© SYRI.net