Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke iu përgjigju pyetjes së deputetit të PDK-së Ferat Shala lidhur me gjendjen në “Trepçë”, deklaroi se ndërmarrja është duke prodhuar me një kapacitet në rritje në krahasim me muajt e kaluar dhe në krahasim me vitin e kaluar.
Ajo po ashtu shtoi se gjithashtu janë duke u bërë përpjekje që të rritet prodhimi në ndërmarrje në mënyra të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kthimin e rreth 80 punëtorëve që po risistemohen në ecurinë e prodhimit nga radhët e atyre që ndër vite kanë lëvizur nga miniera drejt sipërfaqes, një trend ky, siç tha, ka filluar në kohën kur Shala ka menaxhuar.
“46 punëtorëve të rinj po u vazhdohet kontrata e punës ndërlidhur drejtpërdrejt me prodhimin, gjë që do të kontribuojë në rritje të prodhimit. Gjithashtu Trepça po përgatit trajnimin dhe certifikimin e 19 minandezëve duke u mbështetur në udhëzimin e ri administrativ që ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme me kërkesën e Trepçës për ta trajtuar këtë çështje”
“Në Trepçë shpenzimet mujore aktualisht arrijnë rreth 1.5 milion euro, ku rreth 1 milion euro janë shpenzime për paga, ndërsa shpenzime të tjera rreth 500 mijë euro. Ndërmarrja ende ka vështirësi në mbulimin e këtyre shpenzimeve dhe rrjedhimisht ne muajt e fundit është fokusuar në riorganizimin dhe sistematizimin e punëtorëve në vendin e punës në të cilin janë pranuar dhe ne kthimin në kontratën bazë ku kanë qenë”, tha Rizvanolli gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.
Më tej shtoi se menaxhmenti dhe bordi janë duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e brendshme për riorganizim të burimeve njerëzore dhe vendosjen e punëtorëve ne vendin bazë ku kanë qenë dhe se pas kësaj do të shohin hapësirat në cilat pozita duhet të plotësohen me minatorë të rinj.
“Përgjatë kësaj periudhe bordi i ri dhe manxhmenti i ri ka përpiluar edhe një plan për muajt në vijim i cili në njërën anë synon uljen e shpenzimeve, dhe një mënyrë të cilën kjo po bëhet është edhe duke larguar nga lista të pagave punëtorë të cilët është kuptuar që nuk kanë qenë në punë madje me muaj e vite, por që janë paguar nga Trepça, mirëpo edhe duke marrë masa disiplinore për shkelje të detyrave, duke përfshirë këtu edhe raste të dyshimeve për manipulime në tenderë e keqpërdorime të tjera të detyrës.
© SYRI.net