Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Kosova është prioritet kombëtar i shtetit shqiptar.
Gjatë një konference për media në Kosovë, Spiropali ka bërë të ditur se nga takimi i sotëm me homologun e saj kosovar, Glauk Konjufca, do të dalin me një sugjerim ndaj dy qeverive, që të ketë konkretizim më të detajuar të partneritetit.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për Shqipërinë dhe Kosovën bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm, është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tone, dhe për të gjithë rajonin. Me kryetarin Konjufca ne ndamë që t’u sugjerojmë qeverive tona një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal ndër shqiptarë dhe më gjerë”, ka deklaruar Spiropali para gazetarëve.
Tutje, Spiropali ka thënë se të dy parlamentet kanë potencial patriotik, historik dhe moral, që të bëhen ende më shumë promotor të integrimit dhe mirëkuptimit rajonal.
© SYRI.net