Zbulohet shtatorja e presidentit historik Ibrahim Rugova në Podujevë

Zbulohet shtatorja e presidentit historik Ibrahim Rugova në Podujevë

14:48, 07/09/2024

Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, në Podujevë është zbuluar shtatorja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, ministra, deputetë, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi e shumë qytetarë janë bashkuar në sheshin e qytetit të Podujevës, në zbulimin e Shtatores.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe dy fëmijët e Rugovës, djali Uka dhe vajza Teuta.

Presidentja Vjosa Osmani në këtë ceremoni tha se Rugova ishte njeri i dijes, shpresës, udhëheqës i madh e vizionar i pashoq.

“Në ditët më të errëta të historisë sonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij të pavarësisë. Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi”, tha Osmani.

Ajo tha se Rugova ndërtoi ura besimi me liderët anembanë globit, që janë bërë shtylla që qëndron shteti ynë.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vlerësoi lart figurën e ish-presidentit Rugova.

“Vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime e sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga rivalitet i egër politik i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë edhe pasi kishte fituar liria”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti nuk foli fare në këtë ceremoni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco