Serbia bllokon kufijtë në mënyrë selektive, Kosova mbyll 2 prej tyre në tërësi

Serbia bllokon kufijtë në mënyrë selektive, Kosova mbyll 2 prej tyre në tërësi

13:08, 07/09/2024

Që nga ora 18:00 e ditës së djeshme, grupe ekstremistësh serbë bllokuan disa nga pikëkalimet kufitare me Kosovën nga ana e Serbisë.

Siç u raportua, në rrugët që çojnë nga Serbia për në Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak, serbë edhe të maskuar, nën shoqërinë e policisë serbe, kishin dalë afër kufijve duke mos lejuar kalimin e shtetasve me dokumente të Republikës së Kosovës, raporton Klankosova.tv.

Radomir Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, i cili edhe ka organizuar këto bllokada, pati thënë se do të lejohen vetëm automjetet spitalore dhe qytetarët me dokumente të Serbisë – jo edhe ata me të Republikës së Kosovës.

Mbrëmë në orët e vona, një familje kosovare ishte nisur nga Spitali i Prishtinës në drejtim të Gjermanisë për ta dërguar fëmijën e tyre për trajtim.

Ata kishin kaluar kufirin e Kosovës, mirëpo nuk u lejuan të shkojnë tutje nga maskat serbe, duke u detyruar të kthehen mbrapsht.

Për këtë rast reaguan ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Ata akuzuan edhe presidentin serb, Alleksandar Vuçiq, se qëndron prapa këtyre bllokadave.

Gjithashtu, u kërkua ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e kufijve.

Meqë nuk pati reagim e as veprime në këtë drejtim, Kosova u detyrua të mbyllte kufijtë në tërësi në mënyrë që qytetarët të mos ballafaqoheshin me personat e maskuar në Serbi.

Mëngjesin e sotëm, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, njoftoi se qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare të Jarinjës po zhvillohet pa probleme.

“Në Jarinje po qarkullojnë veturat, për momentin nuk ka asnjë problem”, tha Elshani për Klankosova.tv.

Mirëpo, dy pikat tjera kufitare, ajo e Merdarës dhe e Bërnjakut, vazhdojnë të jenë të mbyllura në tërësi nga autoritetet e Kosovës.

Edhe pika kufitare e Kullës, mes Malit të Zi dhe Kosovës, është e hapur për qarkullim të automjeteve, ndonëse e njëjta ishte paralajmëruar se do të mbyllej.

Kërkesë e serbëve është largimi i të gjitha njësive policore të Republikës së Kosovës nga pjesa veriore e vendit, dhe që situatën e sigurisë ta marrë nën kontroll KFOR-i. /Klankosova.tv

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco