Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 7 shtatorin, Ditën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.
Ajo ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë në vitin 2008.
Sipas presidentes, 7 shtatori i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut “është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë”.
“Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka theksuar Osmani.
Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan deklaratën me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.
Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi aparteidi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.
© SYRI.net