Shqetësime për sigurinë, Britania e Madhe i udhëzon qytetarët e saj të mos udhëtojnë në veri të Kosovës

Shqetësime për sigurinë, Britania e Madhe i udhëzon qytetarët e saj të mos udhëtojnë në veri të Kosovës

10:34, 05/09/2024

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj duke përditësuar listën “No Travel” për shkak të një sërë shqetësimesh sigurie.

Në mesin e këtyre vendeve është edhe Kosova, përkatësisht veriu i vendit.

FCDO këshillon qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër, përpos rasteve të domosdoshme.


Kjo, siç thuhet për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona.

“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Ibrit që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, thuhet në përditësimin e bërë së fundmi në web-faqen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Së fundmi nga grupe nacionaliste serbe është paralajmëruar se do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Sipas tyre, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.


Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh.


Para pak ditësh, i ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se të premten, më 6 shtator, do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve kufitare në Kosovë.

Rojeviq paralajmëroi se bllokada do të vazhdojë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe institucionet t’u kthehen serbëve.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Ndërkaq, në përgjigje KFOR-i ka thënë se komente tjera lidhur me çështjen e paralajmërimit për bllokim kufijsh, mediat t’i drejtohen autoriteteve të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.
Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco