Një 82-vjeçare është përplasur për vdekje me motor në Bulqizë, nga një 16-vjeçar.
E moshuara, e cila ishte shpallur e humbur nga familjarët nuk ka mundur dot t’u shpëtojë plagëve të marra, ndërsa ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes.
16-vjeçari pasi ka aksidentuar të moshuarën ka tentuar të largohet nga vendngjarja, por Policia ka bërë të mundur shoqërimin e tij në komisariat.
Bulqizë/ Informacion paraprak:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në orën 23.40, datë 28.08.2024, kanë marrë informacion se në fshatin Ostren, kishte humbur jetën shtetasja S.M., 82 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se 82-vjeçarja, ishte aksidentuar nga një motomjet.
Si rezultat i veprimeve të shpejta Policia identifikoi, kapi dhe shoqëroi në Komisariat për veprime të mëtejshme një 16-vjeçar, që duke drejtuar një motomjet dyshohet se ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasen S.M.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale motomjetin që dyshohet se drejtonte 16-vjeçari.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
© SYRI.net