Mbi 160 mijë votues më shumë në zgjedhjet e ardhshme se më 2021

Mbi 160 mijë votues më shumë në zgjedhjet e ardhshme se më 2021

14:39, 28/08/2024

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të mërkurën Raportin e Listës Preliminare të Votuesve, duke përfshirë listën e qendrave të votimit jashtë vendit, numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal të votuesve.

Për zgjedhjet e planifikuara më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, janë regjistruar 2,047,148 votues me të drejtë vote, një rritje prej 161,700 votuesve në krahasim me Zgjedhjet Lokale të vitit 2021.

Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë njoftim për formimin e një koalicioni mes dy partive politike.

Buzhala shtoi se, sipas ligjit, partitë e regjistruara që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje përmes një koalicioni kanë afat deri të premten për të njoftuar KQZ-në.

“Deri më tani KQZ-ja ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen”, ka thënë Buzhala, raportoi EO.

Partitë politike që janë pjesë e një koalicioni nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje si anëtare të një koalicioni tjetër apo si subjekte të veçanta në të njëjtat zgjedhje.

Afati për partitë politike që të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje, përfundon më 30 gusht. Deri tani, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

KQZ-ja ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Lista përmban 2,047,148 votues, që përfaqëson një rritje prej 161,700 votuesve në krahasim me zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është 209,878. Prej tyre, 124,366 janë votues të rinj që kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe që kanë certifikata të lëshuara nga Republika e Kosovës. Ndërkohë, 85,512 janë individë të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjeve dhe përfshijnë ata që kanë marrë dokumente të reja të Republikës së Kosovës, votues të regjistruar për votim jashtë vendit për zgjedhjet lokale të vitit 2021 dhe ata që kanë certifikata nga Departamenti i Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco