Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë marrë shumë vendime në të mirë të qytetarëve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka përmendur miratimin e Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe rritjen e pagës minimale në 350 euro për muaj.
“Miratohet Projektligji për Sigurimet Shëndetësore. Rritet paga minimale dhe e reja bëhet 350 euro për muaj. Mbledhja e sotme e Qeverisë me shumë vendime, në të mirë të shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim”, shkroi ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin që niveli i ri i pagës minimale në vend të jetë 350 euro bruto.
Kryeministri Kurti tha se paga minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj apo 2 euro për orë pune të rregullt. Sipas tij, kjo rritje i prek mbi 150 mijë të punësuar.
“Më 17 gusht 2011 ishte hera e fundit kur ishte rritur paga minimale dhe atë në nivelin 130 euro në muaj. Sot pas 13 vitesh përfundimisht po e ndryshojmë këtë duke e unifikuar pagën minimale për të gjitha grupmoshat pa diskriminim. Kur e patëm propozuar ligjin në vitin 2022 propozimi atëherë ishte për pagën minimale 264 euro bruto në muaj që përbënte një rritje substanciale. Që nga ai propozim ligji fillimisht u bllokua në kuvend e më pas u dërgua në Kushtetuese. Sot do të miratojmë një nivel tjetër, niveli i ri i pagës minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Do të prekë mbi 150 mijë të punësuar”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vendimi do të hyjë në fuqi nga data 1 tetor.
“Ne sot po e vendosim nivelin prej 2 euro orë pune të rregullt, që kur përkthehet është me 350 euro në muaj. Do të hyj në fuqi nga data 1 tetor, që së paku një muaj ti japim kohë biznese e organizatave që të përshtaten dhe nga tetori do të preken më së 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat”, tha Murati.
Po ashtu, në mbledhjen e së mërkurës u miratua edhe Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se me anë të këtij projektligji, do të rregullohet edhe çështja e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për Fondin e sigurimeve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Madje, ministri tha se me miratimin e këtij projektligji, për herë të parë do të përcaktohen edhe rregullat për listën e barnave të rimbursueshme.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt”, ka thënë Vitia.
© SYRI.net