“Për 4 vjet qeverisje pagat u rritën 6.80 euro”, opozita kritikon pushtetin pas ndryshimit të tatimit për pagat

“Për 4 vjet qeverisje pagat u rritën 6.80 euro”, opozita kritikon pushtetin pas ndryshimit të tatimit për pagat

15:50, 27/08/2024

Ditën e sotme ATK-ja ka njoftuar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, dhe qytetarët do të paguajnë tatim në pagë për 6.80 euro më pak.

Sipas njoftimit të bërë, Ligji ka hyrë në fuqi më 23 gusht të këtij viti, përcakton shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Në tatim nuk do futen ata që kanë pagë nën 250 euro.

Hyrja në fuqi e këtij Ligji, Ministri i Financave Hekuran Murati tha se i ka hapur derën rritjes së Pagës Minimale, ndërsa dhe ai vet e theksoi se paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi.

“Me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte). Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”, shkroi Murati në Facebook.

Tashmë, të punësuarit e sektorit publik e privat do të kenë në llogarinë e tyre për 6.80 euro më shumë, duke qenë se tatimi i pagës është ulur.

Opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti që qysh në katër vite qeverisje kanë arritur të bëjnë vetëm këtë masë lehtësuese për qytetarët.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve.

“Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, ka shkruar Hoti mes tjerash.

Deputetja nga radhët e po kësaj partie, Hykmete Bajrami tha se në katër vite qeverisja, Qeveria Kurti rriti çmimin e rrymës dhe tatimit në pronë për 100 për qind, pagat për 1.5 për qind.

Rritjen e pagave për 6.80 euro, si masë të vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës e ka konsideruar, ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

Sipas tij ky është një ndryshim simbolik.

“Pra, në 4 vite qeverisje, kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë”, ka shkruar Mustafa në Faceobok.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco