Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë, thotë se janë plotësuar kushtet për anëtarësim

Krasniqi takon shefen e zyrës së KiE-së për Kosovë, thotë se janë plotësuar kushtet për anëtarësim

13:44, 10/05/2024

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) duhet të përballen me një përgjigje pozitive.

Sipas tij raporti i juristëve eminent dhe raportet të tjera relevante dëshmojnë se Kosova i ka plotësuar gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësim formal.

Këto komente ai i ka bërë në një postim në Facebook ku ka shkruar për takimin që ka zhvilluar me shefen e zyrës së Këshillit të Evropës për Kosovë, Mary Ann Hennessey.

“Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke pas për qëllim mbështetjen e nivelit lokal dhe rritjen e demokracisë lokale, përfaqësimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile si dhe qytetarëve në vendimmarrje si dhe përkrahjen e komunave për arritjen e 12 parimeve të përcaktuara nga Këshilli i Evropës për qeverisje të mirë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se “Kosova e ka kaluar me sukses votimet në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, e cila përbëhet nga deputetë të partive të ndryshme evropiane”.

“Me shumicë të votave, deputetët e Asamblesë e kanë miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, i cili rekomandon që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. Në raportin e Bakoyannisit vlerësohet arritje e madhe zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco