Rode: U habita që Kurti u befasua, e dinte qëndrimin tonë për Asociacionin dhe Këshillin e Evropës

Rode: U habita që Kurti u befasua, e dinte qëndrimin tonë për Asociacionin dhe Këshillin e Evropës

08:05, 10/05/2024
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, ka deklaruar se nuk priste që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të befasohej nga qëndrimi i Gjermanisë apo Francës që Kosova për çështjen e Asociacionit.
 
Rode theksoi se për këto dy vende, parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.
 
“Edhe unë jam i habitur që ai u befasua, sepse kryeministri Kurti foli me presidentin francez Macron, foli me kancelarin Scholz, u takua me ministrin e Jashtëm gjerman dhjetë ditë më parë në Berlin dhe ne kishim të njëjtin mesazh për të: Bëj diçka…”, tha Rode, raporton Kosovo Online, transmeton Gazeta Sinjali.
 
Ai shtoi se dërgimi i draftit në Kushtetuese është e vetmja rrugë dhe shprehu shpresën se Kurti do të ndryshojë mendje para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, që do të mbahet më 16 apo 17 maj.
 
 
Siç thotë ai, për sa i përket votimit, është më mirë të mos jetë në rend dite sepse një votim i dështuar do të ishte fatkeqësi.
 
“Kosova ka një shans unik për t’u anëtarësuar së shpejti. Dhe ajo që ne dëshirojmë është që Kosova të marrë vendimin e duhur, kështu që do të preferoja që të mos kemi votë tani në rast se Kosova nuk e bën hapin e pritur”, shtoi Rode.
 
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo me Këshillin e Evropës.
 
Dje u raportua se tash për tash, Kosova nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj në Strasburg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco