Gërvalla: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Gërvalla: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

13:17, 30/04/2024

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se shpreson që diskutimet e të martës të jenë konstruktive dhe se Kosova të mund të “kontribuojë si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan Perëndimor që të vendosen standarde të reja”.

Gërvalla ka folur para takimit joformal të ministrave të BE-së përgjegjës për çështje të përgjithshme që mbahet sot në Bruksel.

“Unë si zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme e Kosovës, erdha këtu me shpresë që të kemi një bisedë të hapur për sundimin e ligjit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor e shteteve tjera aspiruese që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Të diskutojmë për nivelet e standardeve demokratike e të sundimit të ligjit që janë të nevojshme të plotësohen para se t’i bashkohemi të gjithë bashkërisht familjes evropiane. Shpresoj që diskutimet sot të jenë konstruktive e që Republika e Kosovës të mund të kontribuojë si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin e Ballkan Perëndimor në vendosjen e standardeve të reja për anëtarët e rinj”, tha Gërvalla.

Me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të BE-së, Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib, Gërvalla po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel, në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004.

Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.

Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja Gërvalla, sipas njoftimit, do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, bën të ditur njoftimi. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco