“Dështimi në KiE”, Çitaku: Sërish fitoi pushteti e jo shteti

“Dështimi në KiE”, Çitaku: Sërish fitoi pushteti e jo shteti

17:33, 17/05/2024

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se sot qytetarët e Kosovës do të duhej të festonin pranimin në Këshillin e Evropës (KiE).

Çitaku ka thënë se fatkeqësisht sot kjo mundësi u humb, duke shtuar se edhe një herë fitoi pushteti e jo shteti teksa e ka quajtur “shkurtpamësi me pasoja të mëdha e të gjata”.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se prej vitit 2022, pas përjashtimit të Rusisë nga KiE, PDK-ja ka insistuar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate.

“Sot, Kosova, qytetarët tanë, është dashur të festojnë pranimin në Këshillin e Evropës. Sot, do të duhej të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – për të cilin është punuar gjatë. Pas përjashtimit të Rusisë në vitin 2022, PDK ka insistuar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate, duke dhënë mbështetjen e saj të parezervë. Fatkeqësisht, për arsye të ditura tashmë, edhe kjo mundësi u humb – e nuk e dijmë se kur do të na paraqitet prapë. Edhe një herë gjatë këtyre katër viteve, fitoi pushteti dhe jo shteti. Shkurtpamësi me pasoja të mëdha e të gjata. Keq – shumë keq”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco