Kryetari i Zubin Potokut dhe Zveçanit japin detaje nga takimi me ambasadorët

Kryetari i Zubin Potokut dhe Zveçanit japin detaje nga takimi me ambasadorët

17:03, 29/05/2023

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai Zveçanit, Ilir Peci kanë lëshuar një deklaratë për media pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Aty thuhet se në takim është diskutuar për situatën në komunat e pjesës veriore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit të cilat pasuan betimin tonë si Kryetarë të komunave përkatëse.

Ata kanë thënë se kanë bërë thirrje për qetësi dhe se situata aktuale nuk është e mirë për askënd.

“Natyrisht, situata në të cilën ndodhemi aktualisht, nuk i pëlqen askujt. Prandaj, në këto momente, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike. Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dijmë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes. Kjo gjë nuk i shërben askujt, e më së paku qytetarëve, të cilët kanë nevojë për punë dhe progres në komunën tonë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ata kanë shprehur frikën për mundësinë e eskalimit të situatës, ndërsa kanë shtuar se do duhet të kishin të drejtë të ushtronin detyrën e tyre si të gjithë kryetarët e komunave.

“Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore. Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim.Natyrisht, në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco