Kurti i shpreh keqardhje Nënsekretares amerikane të Shtetit që Kosova s’u fut në agjendë për t’u anëtarësuar në KiE

Kurti i shpreh keqardhje Nënsekretares amerikane të Shtetit që Kosova s’u fut në agjendë për t’u anëtarësuar në KiE

17:58, 19/05/2024

Kryeministri Albin Kurti ia ka shprehur Nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen, keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave nuk e pëfshiu Kosovën në agjendën e takimit të së premtës, për ta pranuar në Këshillin e Europës, siç njofton Zyra e Kryeministrit.

Kurti i ka thënë diplomates amerikane se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë”.

“Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare, dhe kur dihet që anëtarësimi i ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, njofton ZKM.

Ata diskutuan “edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thotë Zyra e Kurtit.

“Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj”, njofton ZKM.

Gjatë bashkëbisedimit, ZKM thotë se Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, “me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë”.

“Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara përmes USAID-së në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar. Në takim, kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco