Takimi me Allen, Presidenca e veçon deklaratën e Osmanit se partneriteti me SHBA-të është ekzistencial për çdo sukses të vendit

Takimi me Allen, Presidenca e veçon deklaratën e Osmanit se partneriteti me SHBA-të është ekzistencial për çdo sukses të vendit

16:06, 19/05/2024

Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë një video nga takimi dhe konferenca e përbashkët me Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen.

Osmani veçoi deklaratën e Allen se SHBA-të janë të të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës, ndërsa në faqen e Presidencës u veçua deklarata e shefes së shtetit se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të Kosovës.

“”Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si kurrë më parë!” Faleminderit Nënsekretare Allen për këtë rikonfirmim të mbështetjes amerikane, për miqësinë dhe për përkushtimin që ta forcojmë edhe më shumë aleancën tonë të përjetshme!”, shkroi Osmani në Facebook.

“Presidentja Osmani: Partneriteti ynë me SHBA-të, është dhe do të mbetet ekzistencial për çdo sukses dhe çdo arritje të Republikës sonë”, shkruhet ndërkaq në faqen e Presidencës në këtë platformë sociale.

Nënsekretarja e Shtetit e ka falënderuar Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presidentja, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hapin thelbësor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

Diplomatja amerikane u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, të cilit tha se i kërkoi zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë. Shefi i Qeverisë shkroi se diskutuan për reformat demokrative dhe programin e MCC-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco